Në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Kupën e Botës, u zhvilluan dy ndeshje që treguan dominimin e Spanjës dhe Turqisë, me spanjollët që vazhdojnë ecurinë perfekte.

Spanja tregoi fuqinë e saj sulmuese duke mposhtur Bullgarinë me rezultatin 4-0. Takimi u hap në 35’, kur Mikel Merino shënoi me një kokë të saktë pas një krosimi brenda zonës, duke kaluar Spanjën në avantazh 1-0. Në pjesën e dytë, Merino shënoi edhe golin e tij të dytë në 57’, duke çuar rezultatin në 2-0.


Atanas Chernev devijoi topin në portën e tij në 79’, duke dhënë golin e tretë për Spanjën, ndërsa fitoren e vulosi Mikel Oyarzabal në 90+2’ me një gjuajtje të saktë në cepin e poshtëm të portës, për të mbyllur rezultatin 4-0.

Turqia mposht Gjeorgjinë

Në ndeshjen tjetër të grupit, Turqia tregoi dominim të plotë ndaj Gjeorgjisë dhe fitoi 4-1.

Golat e Turqisë u realizuan nga Kenan Yildiz (16’), Merih Demiral (22’ dhe 52’) dhe Yunus Akgun (35’), ndërsa për Gjeorgjinë shënoi Giorgi Kochorashvili (65’).

Pas këtyre dy fitoreve, Spanja mbetet lidere e Grupit E me 12 pikë, ndërsa Turqia është në vendin e dytë me 9 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app