Spanja barazon në fund në trilerin ndaj Zvicrës

Përfaqësuesja e Zvicrës nuk ka arritur të mbajë epërsinë pasi ka pranuar gol në fund dhe ka barazuar 1-1 me Spanjën në kuadër të grupeve të Ligës së Kombeve.
Helvetikët ishin afër të merrnin një fitore të madhe në shtëpi ndaj Spanjës në kuadër të ndeshjes së pestë të Grupit 4 në Ligën A, por nuk ia arritën në fund.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, me Spanjën më kërkuese, por me Zvicrën që gjeti golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 26-të dhe ishte Remo Freuler që shënoi për 1-0 pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një veprimi të mirë nga Breel Embolo.
Në pjesën e dytë, Spanja ishte dukshëm më e mirë dhe më kërkuese, ndërsa edhe pse humbi dy penallti, në fund arriti të gjej golin e barazimit, kjo falë edhe asaj që Zvicra mbeti pa mbrojtësin Nico Elvedi (79’).
Sergio Ramos ishte figura tragjike duke humbur penalltinë e parë në minutën e 57-të dhe të dytën në minutën e 80-të, apo thënë më saktë të dy goditjet u priten nga portieri Yann Sommer.
Megjithatë, Spanja e gjeti golin e barazimit në minutën e 89-të me anë të Gerard Moreno, i cili shënoi për 1-1 dhe me këtë rezultat u mbyll ndeshjes.
Pas këtij barazimi, Spanja e sheh veten në pozitën e dytë me tetë pikë, ndërsa Zvicra e katërta me tri pikë.
Në ndeshjen e fundit të grupeve, Zvicra e pret Ukrainën, ndërsa Spanja e pret Gjermaninë e vendit të parë. /Telegrafi/
https://twitter.com/Postinor10/status/1327718200193277953
https://twitter.com/FTTV20/status/1327726282315083776
https://twitter.com/DeshaunTalks/status/1327726721559384064














































