Edhe pse jo në prag të kolapsit, Juventusi shfrytëzoi një nga mundësitë e fundit në Bologna për të qëndruar në kontakt me ekipet e kreut dhe për t’i dhënë kuptim një tjetër sezoni ndjekjeje.

Në “Dall’Ara”, përtej fitores minimale (1-0), bardhezinjtë zhvilluan një paraqitje shumë solide në çdo aspekt të lojës, aq sa trajneri Luciano Spalletti bëri një deklaratë të fortë për mikrofonat e “DAZN” në fund të ndeshjes.


“Kjo ishte fitorja më e madhe e mandatit tim. U përballëm me një skuadër me forcë të qartë, guxim, entuziazëm dhe mentalitet, prandaj të fitosh këtu është edhe më e vlerësueshme. Sonte, Juventusi ishte gjithmonë në lojë, në zemër të ekipit, pranë topit për të gjitha 90 minutat”.

“Ky është Juventusi im më i mirë që kam parë ndonjëherë”.

Trajneri italian theksoi se rritja e skuadrës nuk e ka befasuar aspak, madje ai pohon se e kishte paralajmëruar këtë zhvillim edhe drejtuesit e klubit.

“E kam thënë disa herë në konferenca për shtyp, por më pas bëhet e ndërlikuar, sepse nëse nuk vijnë rezultatet dhe përmirësimi, askush nuk e vëren. Unë i kam parë në stërvitje, sidomos këtë javë. Ua kam thënë edhe drejtuesve; i kam gjetur energjikë dhe të gatshëm për të përthithur kërkesat gjatë punës. Shpresoj që kjo t’i ndihmojë të shkojnë më larg dhe të jenë më të vazhdueshëm, sidomos në paraqitje”.

Golin e fitores e realizoi Juan Cabal, një nga lojtarët më të komentuar së fundmi dhe një prej të preferuarve të trajnerit. Spalletti shpjegoi edhe raportin e veçantë që ka me mbrojtësin.

“Kisha një parandjenjë. Cabal duhet të mësojë ndonjëherë të kontrollojë emocionet, sepse është emocional, është si një kalë… Është i talentuar, fizikisht i fortë, me mentalitet të fortë, nuk i duron duelet një kundër një, por në ndeshjet që ka luajtur deri tani ka qenë më i ashpër seç kërkon vlera e tij dhe niveli i futbollit që nevojitet. Prandaj edhe e kam ‘ngacmuar’ pak”./Telegrafi

telegrafi sport app