LAJMI I FUNDIT:

SpaceX lëshoi 53 satelitë të tjerë Starlink në orbitë

SpaceX lëshoi 53 satelitë të tjerë Starlink në orbitë

SpaceX zgjeroi grupin e saj të satelitëve të orbitës së ulët të Tokës të shtunën me lëshimin e 53 satelitëve Starlink nga Florida.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një raketë Falcon 9 u ngrit nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në orën 7:19 të mëngjesit me orën lokale dhe vendosi satelitët rreth 16 minuta pas nisjes.


Faza e parë e raketës, e cila është përdorur për lëshime të shumta, duke përfshirë fluturimin e parë provë me ekuipazh të anijes kozmike Crew Dragon të SpaceX, u rikthye me sukses dhe u ul në anijen dron në Oqeanin Atlantik.

Starlink është një sistem global interneti i bazuar në satelit që SpaceX e ka ndërtuar prej vitesh për të sjellë qasje në internet për zonat e “pashërbyera” të botës.

Ndryshe, në fillim të kësaj jave, SpaceX nisi katër astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, duke përfshirë personin e 600-të që arriti në hapësirë në 60 vjet. /Telegrafi/