Sot nis edicioni i 14-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, fokus te "Qyteti pas krizës"


Edicioni i 14-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë (KAF), i konsideruar si një nga ngjarjet më të mëdha të arkitekturës në vend dhe rajon, do të nisë të hënën, më 6 korrik, me një program të pasur aktivitetesh që trajtojnë sfidat e arkitekturës dhe urbanizmit në kohë krizash globale.
Organizatorët kanë bërë të ditur se tema e sivjetme e festivalit është "The City After – Design in an Age of Crises" ("Qyteti Pas – Dizajni në Kohë të Krizës"), e cila synon të hapë diskutime mbi rolin e arkitekturës dhe dizajnit në periudha të pasigurisë, konflikteve dhe transformimeve të mëdha shoqërore.
Në kuadër të programit të sivjetmë, festivali do të organizojë 13 ligjërata publike, tri punëtori me fokus në territoret palestineze, si dhe tri turne arkitektonike.
Për herë të parë, Festivali i Arkitekturës në Kosovë ka hapur edhe një program bursash për arkitektë të rinj nga Palestina, të cilët do t'i bashkohen festivalit duke udhëhequr punëtori dhe duke mbajtur ligjërata publike.
Sipas deklaratës programore të festivalit, tema "The City After" trajton ndikimin e krizave globale në zhvillimin urban dhe sfidon profesionistët dhe qytetarët të reflektojnë mbi mënyrën se si mund të rindërtohen qytetet pas konflikteve, katastrofave dhe krizave sistemike.
"Në të gjithë botën, qytetet po formësohen gjithnjë e më shumë nga krizat. Luftërat, fatkeqësitë klimatike, paqëndrueshmëria ekonomike, migrimi i detyruar dhe trazirat politike po transformojnë peizazhin urban me një shpejtësi dhe intensitet të paparë", thuhet në deklarimin e temës së sivjetme.
Organizatorët theksojnë se festivali synon të shtrojë pyetje thelbësore për të ardhmen e qyteteve dhe të rolit të arkitekturës në proceset e rindërtimit dhe transformimit shoqëror.
"The City After fton arkitektët, urbanistët, studiuesit dhe qytetarët të reflektojnë mbi detyrën urgjente të rindërtimit në një epokë të përcaktuar nga krizat e mbivendosura", thuhet në deklaratë.
Sipas organizatorëve, në shumë pjesë të botës mjedisi i ndërtuar po transformohet nga konfliktet dhe paqëndrueshmëria, duke e bërë të domosdoshëm rishikimin e qasjeve tradicionale të planifikimit urban dhe rindërtimit.
"Në vend të kësaj, rindërtimi duhet të përballet me pyetje më të thella në lidhje me drejtësinë, qëndrueshmërinë, kujtesën dhe të ardhmen e jetës kolektive", theksohet në deklarimin e festivalit.
Përmes punëtorive, ligjëratave, ekspozitave dhe diskutimeve publike, KAF 2026 synon të krijojë një platformë ndërkombëtare dialogu mbi mënyrën se si arkitektura dhe dizajni mund t'i përgjigjen sfidave të kohës, duke kontribuar në ndërtimin e qyteteve më të drejta, më të qëndrueshme dhe më shpresëdhënëse. /Telegrafi/





































