LAJMI I FUNDIT:

Soltes takon Thaçin dhe Haradinajn, mbledh të dhëna për raportim në Parlamentin Evropian

Soltes takon Thaçin dhe Haradinajn, mbledh të dhëna për raportim në Parlamentin Evropian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi kanë takuar raportuesin  për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes.

Haradinaj dhe Thaçi kanë biseduar me Soltes rreth pozicionit të Kosovës karshi përmbushjes së agjendës evropiane.


Haradinaj e informoi raportuesin Soltes për të arriturat dhe progresin që ka shënuar Kosova, zbatimin e reformave në legjislacion, si dhe për dinamikën e përshpejtuar të reformave në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera me rëndësi për vendin dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Institucionet e Kosovës janë në linjë me detyrat e veta se çka duhet bërë sa i përket rrugës tonë drejt integrimeve euroatlantike. Ne kemi treguar përkushtim të plotë për vlerat evropiane”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se tani me të drejtë qytetarët e Kosovës presin vendimin pozitiv për lëvizje të lirë në Zonën Shengen.

Në anën tjetër presidenti Thaçi  ka falënderuar raportuesin e BE-së për përkrahjen e deritashme.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e deritashme. Po punojmë që të prodhojmë sa më shumë argumente pozitive edhe për përkrahësit e Kosovës. Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Soltes, ka thënë se është në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.

“Për këtë jemi në Kosovë, që të mbledhim sa më shumë të dhëna nga udhëheqësit e institucioneve e Kosovës në mënyrë që të raportojmë në Parlamentin Evropian”, u shpreh Soltes. /Telegrafi/