LAJMI I FUNDIT:

Snowden: Amazon, Google dhe Facebook kanë modele biznesi të barasvlershme me abuzimin

Snowden: Amazon, Google dhe Facebook kanë modele biznesi të barasvlershme me abuzimin

Aktivisti amerikan, i cili është personi më i famshëm për publikimin e informacioneve sekrete të Agjencisë për Siguri Kombëtare (NSA) deri sa punonte si nënkontraktor i CIA-së, Edward Snowden ka thënë se kompanitë si Amazon, Google dhe Facebook, kanë modele biznesi të barasvlershme me abuzimin.

Deri sa po fliste në Web Summit në Lisbonë me anë të një videoje që po vinte nga Rusia, ku ai jeton në azil politik që nga viti 2013, Snowden tha se bota ka ndryshuar për sa i përket sigurisë personale.

“Shikoj se pas gjashtë vitesh, bota po ndryshon. Unë mendoj se sa më shumë shohim rritjen e zemërimit në mes njerëzve dhe zhvillimin e problemeve të mëdha të botës, njerëzit po zemërohen me njerëzit e duhur për arsyet e gabuara, pasi ata shohin sesi po grabitet privatësia e tyre”, tha 36-vjeçari, përcjell Telegrafi.

“Po, këta njerëz janë të përfshirë në abuzim, veçanërisht Google, Amazon, Facebook. Modeli i tyre i biznesit është abuzim. E megjithatë, sipas argumenteve të tyre, çdo gjë që ata bëjnë është legale. Por, e vërteta është se ne kemi legalizuar abuzimin e personit. Ne kemi futur një sistem që e bën popullsinë të prekshme për përfitimet e të privilegjuarve”, vazhdoi ai.

Gjithashtu, Snowden dha një vlerësim për Rregulloren e Përgjithshme e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

“Problemi nuk është mbrojtja e të dhënave, por mbledhja e tyre. Rregullimi i mbrojtjes së të dhënave supozon se mbledhja e të dhënave në radhë të parë ishte e duhur, është në rregull të spiunosh të gjithë gjatë gjithë kohës”, përfundoi ai. /Telegrafi/