LAJMI I FUNDIT:

Skenari për filmin “Guna përmbi tela” dhe censura e gërshërëve nga “lart”

Skenari për filmin “Guna përmbi tela” dhe censura e gërshërëve nga “lart”

Duro Mustafai

Duhet të ketë qenë shtatori i vitit 1959. Në festën e Drashovicës, që bëhej çdo vit në kujtim e nderim të betejës 21 ditore kundër nazistëve gjermanë (15 shtator deri 4 tetor 1943), takova një luftëtar lab, më tha se ishte nga Kuçi, po emrin nuk ia mësova dot. Në xhaketë ai mbante disa dekorata lufte, kurse në krahë një pushkë të gjatë italiane.


Më tërhoqi vëmendjen sidomos pushka e tij, se, në tabanin e saj, luftëtari kish gdhendur fjalën “Drashovicë 192O-1943”. Iu afrova burrit, që duhet të ishte thuajse 65-vjeçar dhe e pyeta se ç’kuptim kishin ato datat te dyfeku i tij. Dhe, burri buzagaz do më përgjigjej: “Po ja, këtë dyfek ua rrëmbeva italianëve në Luftën e Vlorës ( 192O ), këtu në Drashovicë, e luftova me të kundër italianëve, po këtu, në Drashovicë. Po me këtë pushkë kam luftuar edhe më 1943, kundër gjermanëve, po këtu në Drashovicë”.

Dhe, për të mos i harruar Drashovicën dhe ato dy datat historike, burri i kish thënë djalit të tij t’i gdhendte me biçak te dyfeku datat dhe fjalën Drashovicë. Dhe, ndërsa unë kisha marrë në dorë pushkën, duke ledhatuar edhe shkronjat mbi të, burri me zë të lartë më thotë: “Ato që lexove ti, i kam për kujtim. Djalo, nuk duhet harruar lufta dhe gjaku i derdhur”!

Por, në çast nuk di si më shkrepi t’i bëja propozimin se pushka e tij, ngaqë ka vlerë historike dhe edukative për brezin e ri, është mirë të vendoset në Muzeun e Vlorës. Ndërkohë, burrit i ndryshoi çehrja dhe fjala e tij u bë e sertë. “Si the, si the? Të dorëzoj pushkën në Muze?! A, jo mor djalë, jo. Nuk kam pushkë për muze unë, pushkën e kam për në krah”. Kjo, më vonë do më sillte ndërmend edhe ato fjalët e të madhit Kadare se pushka në krahë të shqiptarit të duket si zgjatim i shtyllës së tij kurrizore… Dhe, siç mora vesh edhe më vonë, burri i dy luftërave në Drashovicë, derisa u nda nga jeta, nuk u nda nga pushka e tij. Dyfekun nuk e dorëzoi në Muze. Ai edhe kur flinte dyfekun e mbante te koka.

Kjo ngjarje m’u kujtua kur punoja te gazeta “Drita”. Ishte nëntori i vitit 197O, prag feste e çlirimit. Dhe, me episodin e përjetuar në Drashovicë, bëra tregimin me titull “Nuk kam pushkë për Muze”. Tregimin ia dhashë për të më bërë ndonjë vërejtje shkrimtarit Vath Koreshi, që atëherë punonte me mua në gazetën “Drita” me detyrën e redaktorit të krijimtarisë letrare.

Vathi e pëlqeu tregimin e këmbënguli ta botoja. Por, ajo që ndodhi pas botimit edhe do më gëzonte, (se disa nuk i kursyen lavdërimet), por edhe do shqetësohesha se ndoshta mund të “kisha gabuar”. Prandaj, i thashë vetes të prisja njëherë se çdo të thoshin “ata”. Dhe “ata” ishin lexuesit, “poshtë” dhe drejtuesit “lart”. Në ato vite, nga të dy drejtimet, redaksitë e gazetave prisnin se çfarë do të thuhej pas çdo botimi. Po, natyrisht, sytë dhe veshët përqendroheshin te zyrat, “lart”, andej të vinte gjëma…

Kështu do të kalonin disa ditë, kur nga Gjirokastra do merrja një letër. Atë e dërgonte drejtori i Muzeut Historik të rrethit, Lefter Dilo, një kuadër i njohur për kujdesin ndaj materialeve e dokumenteve që pasuronin muzetë historikë të vendit. Letra niste me një kritikë të fortë ndaj meje, që isha nxituar e nuk isha thelluar në përmbajtjen e tregimit që botova, sepse nëpërmjet tij, “unë u bëja thirrje veteranëve të Luftës të mos ia çonin pushkët e rrëmbyera armikut, në Muze, paçka se ato janë simbole të luftës për liri”!

E thënë më hapur, tregimi ishte “mohim i historisë”, “injorim i traditave luftarake të popullit” (gjëra që s’më kishin shkuar kurrë në mëndje). Por, autori i letrës nga Gjirokastra kërkonte prej meje të bëja një autokritikë të fortë publike në gazetë, duke thënë se kisha gabuar rëndë. Letra në një zarf të mbyllur më drejtohej mua, po ajo që më shqetësonte ishin fjalët poshtë emrit tim: “Për dijeni, Komitetit Qendror të Partisë”. “Gjer këtu paska arritur puna?!”, mendova. Dhe, natyrisht që u shqetësova.

Një letër kritike në Komitetin Qendror, sado i bindur që të ishe se nuk kishe gabuar, prapë pyesje veten me dyshim “ku vallë të kem gabuar?”, se varej si ishte kuptuar nga “lart” tregimi. Dhe rrija në pritje se sa i fortë do të ishte druri për mua. Por, ndodhi ajo që nuk e prisja. Drejtori i shtypit në K.Q. të Partisë, Miti Tona, një burrë i shtruar, do më kërkonte ndërmjet telefonit t’i vihesha punës për të bërë skenarin e një filmi artistik, mbështetur në tregimin “Nuk kam pushkë për muze” që ish pëlqyer.
Natyrisht që nuk e prita mirë këtë kërkesë, sepse nuk e kisha përvojën e një pune të tillë. Në ato vite kisha shkruar vetëm 3-4 skenarë për filma dokumentarë, por për filma artistikë s’kisha provuar asnjëherë e më dukej një punë e vështirë dhe e papërballueshme. Por, edhe pas kundërshtimit tim, shefi im u shpreh me fjalët: “Mos e zgjat më tej, se është urdhër”. Këtë do ta merrja vesh më mirë pas disa ditëve, kur drejtori i Kinostudios, Vangjush Zallëmi, do më përsëriste të njëjtin urdhër: “Mos na e vono skenarin”.

M’u desh të punoja edhe natën, e së bashku me kinoregjisorin Muharrem Fejzo, pas disa muajve, dorëzuam skenarin që Këshilli Artistik i Kinostudios e miratoi. Nisën xhirimet e nga muaji shtator -tetor 1977 filmi me titull “Gunat përmbi tela” nisi të shfaqet në kinematë e vendit. Natyrisht, për këtë film me karakter historik, që kishte një shtrirje të gjatë kohore e me skena të shumta masive, pati vërejtje nga “lartë” e disa pamjeve iu vunë gërshërët.