Sislej Xhafa rikthehet në Zvicër me një ekspozitë ndryshe – falënderim për ndihmën ndaj Kosovës

Në një hapësirë të qetë dhe të ngarkuar me emocion në Zvicër, Sislej Xhafa kthehet me një ekspozitë që flet me heshtje dhe kujtesë. Me titullin “Family Album Woven Soil”, artisti shqiptar sjell një reflektim thellësisht personal dhe kolektiv mbi ndihmën e Zvicrës ndaj Kosovës në vitin 1999 – përmes një gjuhe të pazakontë: fotografive të pasardhëseve të lopëve të dhuruara nga ky shtet në atë kohë.
“Ky titull lindi nga një nevojë për të kujtuar jo vetëm një ngjarje historike, por një akt thellësisht njerëzor që është ngulitur në kujtesën time si një gjurmë e butë në tokë” – shprehet Xhafa.
“‘Family Album’ është një thirrje intime për të parë përtej fotografisë; për të parë kujtimet si rrënjë të gjalla. ‘Woven Soil’ është toka që ruan, që pranon, që mban gjurmët”.
Fotografitë në ekspozitë nuk janë vetëm imazhe të kafshëve – ato janë faqe të një ditari të pazëshëm, një poezi pa vargje. Këto lopë janë metafora të një kujtese të heshtur, por të gjallë – një trashëgimi e një akti solidariteti.

“Gjuhën që kam kërkuar është ajo e ndjeshmërisë pa fjalë – të një pranie që nuk kërkon të shpjegohet, por të ndihet. Ky kthim në Zvicër është si një frymëmarrje në mes të një kujtese të palëvruar mirë – i heshtur, por i mbushur me fjalë që nuk janë thënë kurrë”.
Për Xhafën, arti nuk është vetëm shprehje, por edhe dëgjim. Ai përpiqet të lërë veprën të marrë frymë më vete, pa ia imponuar një domethënie të qartë.
“Arti më mëson të dëgjoj me sy dhe të ndjej me kujtim. Gjuha vizuale është si një fije që lidh zemrën me kujtesën – ajo nuk e artikulon dhimbjen, por e tejçon”.

Në kohë krize dhe paqartësie globale, artisti sheh në art një tokë të tretë – as politikë, as histori – por një vend për qëndrueshmëri emocionale dhe përkujtim.
“Arti është një akt rezistence pa agresion, një kujtesë që nuk dënon, por nxit reflektimin dhe nuk kërkon asgjë në këmbim”.
Edhe pse veprat e tij shpesh burojnë nga ndjenja personale, Sislej Xhafa e sheh këtë ekspozitë si një gjest kolektiv, si një përulje përballë një ndihme që ka tejkaluar kufijtë dhe kohën.

“Mirënjohja nuk ka pasaportë. Ajo është një ndjenjë që lëviz lirshëm nëpër kufij dhe histori”.
Përkohshmëria dhe heshtja janë dy shtylla që ndërtojnë gjuhën artistike të Xhafës. Ai e sheh përkohshmërinë si formën më të sinqertë të jetës, dhe heshtjen si mjetin më të ndershëm të komunikimit.
“Në artin tim, përpiqem të krijoj një klimë ku vëzhguesi nuk kërkon domethënie, por përjetim”.

Përballja e artistit me kafshët e fotografuara ishte për të një takim emocional dhe përulës.
“Ishte si të përballesha me një dëshmi të gjallë të një kujtese që nuk flet... Ato nuk e dinë se janë simbol i një ndihme, por përmes tyre unë pashë vazhdimësinë e një akti të mirë”.

Në fund, mesazhi i tij për publikun shqiptar është i thjeshtë, por thelbësor: “Të mos harrojmë. Sepse harresa është forma më e shpejtë e zhdukjes. Kjo vepër nuk është vetëm për të kaluarën, por për mënyrën si kujtesa ndërtohet përmes gjesteve, përmes tokës, kafshëve dhe heshtjes”.
Ekspozita e Sislej Xhafës është jo vetëm një kujtim i një akti humanitar, por edhe një thirrje për të ruajtur mirësinë – jo si fakt historik, por si frymë e gjallë që vazhdon të jetojë në forma të papritura. /Telegrafi/












































