LAJMI I FUNDIT:

Sindikatat paralajmërojnë greva dhe protesta nëse nuk zbatohet Ligji për Paga

Sindikatat paralajmërojnë greva dhe protesta nëse nuk zbatohet Ligji për Paga

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga për sektorin publik, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së këtij Ligji me Kushtetutën, e për këtë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë, e Doganës dhe Arsimit, kanë reaguar ndaj këtij vendimi, derisa kanë kërkuar që të zbatohet Ligji.

Derisa thonë se nëse nuk marrin asnjë përgjigje nga institucionet relevante, të gjithë punëtorët e tyre do të hyjnë në grevë dhe protesta.


Këshillat drejtues të Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës, thonë se është marrë vendim që punëtorët të presin zbatimin e Ligjit të Pagave, përkatësisht marrjen e pagave me këtë Ligj.

“Lusim palët e interesit që mos të bëjnë presion mediatik në Gjykatën Kushtetuese e njëherë shfrytëzojmë rastin ta ftojmë gjithë spektrin politik që të gjejnë zgjidhje që punëtorët në fund të këtij viti t’i marrin pagat ashtu si është pritur”, thuhej në komunikatën e përbashkët sindikatave, përcjell Telegrafi.

Sindikalistët takojnë Kurtin, paralajmërojnë greva nëse nuk zbatohet Ligji për Paga
Lexo po ashtu Sindikalistët takojnë Kurtin, paralajmërojnë greva nëse nuk zbatohet Ligji për Paga

Dje, drejtues të tri sindikatave janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh pretendentin për kryeministër Albin Kurti.

Drejtuesit sindikalistë thanë se pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga, gjendja është alarmante, teksa nuk i mohuan grevat e përgjithshme. Ata i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë Ligjin për Paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.

Po ashtu, Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka thënë se çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm.

Sindikata e Doganës: Çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm
Lexo po ashtu Sindikata e Doganës: Çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm

“Bazuar në mandatin sindikal, edhe Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah çdo ligj të favorshëm dhe i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen dhe ruajtjen e mirëqenies sociale të punonjësve. Referuar Ligjit për Paga, Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) konsideron se Ligji i sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës dhe votuar nga shumica e deputeteve të Parlamentit të Kosovës gëzon përkrahjen e shumicës së të punësuarve në institucionet e Kosovës. Andaj mbi bazën e kësaj Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah dhe kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është, pasi që i njëjti mund të plotësohet nëse janë bërë lëshime teknike gjatë procesit. Çdo devijim nga moszbatim i Ligjit për Paga për Sindikatën e Pavarur të Doganës së Kosovës do të jetë i pa pranueshëm”, thuhet në reagimin e sindikatës, përcjell Telegrafi.

Pagat e sektorit publik që nga dhjetori me rritje – të dhëna që tregojnë se kush janë disa nga përfituesit
Lexo po ashtu Pagat e sektorit publik që nga dhjetori me rritje – të dhëna që tregojnë se kush janë disa nga përfituesit

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. /Telegrafi/