LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e Doganës: Çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm

Sindikata e Doganës: Çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës me anë të një njoftimi për media ka thënë se çdo devijim i Ligjit për Paga do të jetë i pa pranueshëm.

Sipas sindikatës, Ligji duhet të zbatohet ashtu siç është.

“Bazuar në mandatin sindikal, edhe Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah çdo ligj të favorshëm dhe i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen dhe ruajtjen e mirëqenies sociale të punonjësve. Referuar Ligjit për Paga, Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) konsideron se Ligji i sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës dhe votuar nga shumica e deputeteve të Parlamentit të Kosovës gëzon përkrahjen e shumicës së të punësuarve në institucionet e Kosovës. Andaj mbi bazën e kësaj Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah dhe kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është, pasi që i njëjti mund të plotësohet nëse janë bërë lëshime teknike gjatë procesit. Çdo devijim nga moszbatim i Ligjit për Paga për Sindikatën e Pavarur të Doganës së Kosovës do të jetë i pa pranueshëm”, thuhet në reagimin e sindikatës, përcjell Telegrafi.

Dje, drejtues të sindikatave të Shëndetësisë, të Policisë dhe të Arsimit janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh pretendentin për kryeministër Albin Kurti.

Tre drejtuesit sindikalistë thanë se pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga, gjendja është alarmante, teksa nuk i mohuan grevat e përgjithshme.

Ata i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë Ligjin për Paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.

Sindikalistët takojnë Kurtin, paralajmërojnë greva nëse nuk zbatohet Ligji për Paga
Lexo po ashtu Sindikalistët takojnë Kurtin, paralajmërojnë greva nëse nuk zbatohet Ligji për Paga

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. /Telegrafi/