Ministria në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me aksionin e inspektorëve për mbrojtjen e fëmijëve nga produktet e duhanit dhe cigaret elektronike.

Ajo bëri të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) i MINT-it ka zhvilluar sot kontrolle në shtatë qytete të Kosovës, duke realizuar 20 inspektime pranë institucioneve arsimore.


“Fëmijët nuk janë treg për duhanin”, ka shkruar Kusari-Lila, duke theksuar se aksioni është zhvilluar në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve.

Sipas saj, gjatë aksionit janë shqiptuar gjoba, janë dërguar raste në procedurë, ndërsa janë sekuestruar produkte të duhanit dhe cigare elektronike.

“Përveç se zbatim i ligjit, kjo është mbrojtje e fëmijëve. Asnjë tregtar nuk duhet të synojë apo t’ua lehtësojë të miturve qasjen në produkte që dëmtojnë shëndetin dhe krijojnë varësi”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha komunat e Kosovës.

“Ligji duhet të zbatohet, fëmijët duhet të mbrohen”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/