LAJMI I FUNDIT:

Sindikata kërkon nga Qeveria që të iniciojë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës

Sindikata kërkon nga Qeveria që të iniciojë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës

Sindikata e Lotarisë së Kosovës, ka kërkuar nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të iniciojë sa më parë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës.

Në reagim e bërë thuhet se, punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë të shqetësuar dhe të indinjuar me neglizhencën e institucioneve përkatëse, për çka edhe do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre me anë të protestave, transmeton Telegrafi.


Reagimi i plotë:

“Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj. Nga ajo kohë janë zhvilluar takime dhe shkresa të shumta u janë dërguar institucioneve relevante, mirëpo deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.

Nga takimet e realizuara me të gjitha grupet parlamentare ato kanë shprehur gatishmërinë në përshpejtimin e nxjerrjes së ligjit, por inicimi që duhet të merret nga Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është ndërmarrë ende.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave.

Si ndërmarrje publike ku aksionare dhe pronare është Qeveria e Republikës së Kosovës, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga e njëjta që të përmbush obligimet që i takojnë si pronare e saj.

Apelojmë tek Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të iniciojnë sa më parë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës dhe të mos na detyrojnë të ndjekim rrugët tjera për realizimin e të drejtave tona, por vetëm përmes rrugëve institucionale ashtu siç kemi vepruar deri më tani”. /Telegrafi/