Kryerat i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka kërkuar sqarime nga ministri i Financave, Hekuran Murati rreth mjeteve shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e këtij sektori.

Më 21 prill ishte hapur aplikimin për marrjen e kësaj vlere në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, por edhe pas 20 ditësh këto mjete ende nuk janë ekzekutuar.

“Ne e kuptojmë se të gjithë ata që nuk kanë të dhëna të sakta, shkaktojnë problem, por shtrohet pyetja, pse për ata te cilët këto të dhëna i kanë të sakta nuk lëshohen mjetet? Ministri Murati kishte deklaruar se do të formohet komisioni për verifikimin e aplikuesve, dhe ne mendojmë që verifikimi le të bëhet për ata që kanë mungesën e te dhënave, por për ata që janë në rregull kjo vonesë po shkakton nervozizëm, andaj ju thërrasim që ata të cilët kanë bërë aplikimin në rregull të bëhet shpërndarja e mjeteve të cilat iu premtuan nga Qeveria”, ka thënë Azemi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ditë më parë kishte hapur formën e aplikimit për mbështetje për punëtorët që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit.

Sipas MFPT-së, kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar.

Ata që kanë pagë më të lartë se 1,000 euro dhe punëtorët që nuk kanë qenë të regjistruar në muajin shkurt, nuk mund të përfitojnë këto subvencione nga shteti. /KP/