LAJMI I FUNDIT:

Simpatia për Kroacinë

Simpatia për Kroacinë

Nga: Daut Dauti

Fuqia e futbollit është e madhe. Asgjë nuk i mobilizon masat sikur futbolli. Dhe, kjo është arsyeja që Bill Shankly legjendar, ka thënë: “Futbolli nuk është vetëm çështje e jetës dhe vdekjes”.  Njerëzit nuk i përkrahin ekipet e futbollit, pa arsye. Ndoshta disa po, por shumica jo. Dhe, arsyet në shumicën e rasteve janë politike.

Ka shumë arsye se pse shqiptarët e përkrahin Kroacinë, në futboll. Disa arsye që po i dëgjojmë janë qesharake. Por, arsyeja kryesore është “armiku i përbashkët” – Serbia. Arsyet tjera janë të dorës së dytë ose të tretë. Simpatitë apo urrejtjet tona për dikën apo për diçka janë të përkohshme dhe ne i ndërtojmë ato nga ndikimet, kryesisht të karakterit propagandues që na imponohen në sferën publike, por më shumë nga përvojat tona personale.

Përshtypjet e gjeneratës sime gjatë viteve të ‘70-ta dhe të ‘80-ta të shekullit të kaluar, nuk janë aq të mira për kroatët. Por, janë më të mira se për serbët. Në realitet, në Jugosllavinë e atëhershme, për shqiptarët nuk është ndërtuar narracioni pozitiv apo real. Qëndrimi i politikës dhe mediave të atëhershme – si zëdhënëse të politikës – në sfond kishin qëndrim pansllav. Shqiptari është konsideruar si primitiv dhe pas viteve të 1980; edhe si element trazues në tentim të shkatërrimit të jetës së tyre të përbashkët dhe të rehatshme që kishte krijuar sistemi politik dhe ekonomik jugosllav. Prandaj, në këto rrethana, nuk kishte se si të shihej shqiptari ndryshe pos si armik, apo në rastin më të mirë – i padëshirueshëm.

Në jetën tonë i kemi edhe qëndrimet që i ndërtojmë nga përvojat personale. Në fillim të viteve të 1980, në qytetin tonë (Gjilan) erdhi një grup kroatësh, ndoshta 20: inxhinierë, arkitektë dhe ekspertë tjerë që ishin angazhuar në ndërtimin e një kompleksi të fermave të pulave dhe bibave në periferi të qytetit dhe jo larg lagjes sime. Mbrëmjeve ata shkonin në restorant, sidomos në fundjavë, por hezitonin të bisedonin me mua që isha i interesuar të njihesha me ta dhe ta merrja mendimin e tyre për ne. Por, nuk ishin të interesuar sa unë. Nuk ndjenin ndonjë lidhje me ne. Përshtypja ime e krijuar për ta ka qenë se ishin më të kulturuar se serbët, por njëkohësisht edhe më agresivë nëse deheshin.

Pinin shumë birra dhe, kur nxeheshin, përmalloheshin e disa edhe ia krisnin vajit se i merrte malli për familje. Shkonin në shtëpi vetëm një herë në muaj, për fundjavë. Kur u thosha se njerëzit tanë punojnë në Gjermani dhe në Zvicër dhe se nuk i shohin familjet për gjashtë apo nëntë muaj, ata thoshin: “Epo, ju jeni njerëz tjerë”! Domethënia “njerëz tjerë”, këtu flet për dallim të njerëzve dhe për një qëndrim që thotë se ju jeni në rregull e ndoshta edhe e meritoni nëse nuk e shihni familjen për nëntë muaj, kurse ne jo. Sidoqoftë, ky ka qenë takimi im i parë me një grup kroatësh.

Grupet tjera kroate që vinin në Kosovë kanë qenë edhe nga milicia e tyre që, pas vitit 1981, vinin për ta ruajtur “vëllazërim-bashkimin” dhe integritetin e Jugosllavisë. Unë nuk kam pasur rast të takohem me ta – as për të mirë, as për te keq. Natyrisht që të gjithë nuk vinin vullnetarisht, por një masë e tyre me siguri ka besuar se puna e tyre në Kosovë është e mirë dhe e domosdoshme. Por, shqiptarët kanë menduar ndryshe për ta. Nuk e kanë parë prezencën e tyre me simpati. Mendimi më i mirë për ta ka qenë se nëse bie në dorë të tyre, “këta t’rrehin ma pak se serbët”.

Ndoshta ka qenë viti 1984 kur rastësisht, pa dëshirën time dhe të nikoqirit, kam qenë mysafir në shtëpi të një kroati në Vërbovec, një qytet jo larg Zagrebit. Nikoqiri kishte paragjykime dhe mezi filloi bisedën me mua. U habit pse unë di të flas mirë serbokroatisht. Që të dy ishim simpatizues të KF “Dinamo” dhe kjo na afroi për një moment. “Dinamo”, pas dy apo tri ditësh do të luante me Milanon apo Juventusin (nuk më kujtohet saktësisht). Kur i thashë se “Dinamo” do të pësonte disfatë (gjë që dihej), ai nuk më foli më. Nuk më foli as në mëngjes kur u zgjuam nga gjumi. Parashikimi im doli i vërtetë, por ai nuk dëshironte këtë ta dëgjonte nga dikush të cilin nuk e konsideronte të barabartë apo të denjë për këso parashikimesh.

Në vitin 1985, në Prishtinë erdhi Miroslav “Qiro” Blazheviq për ta udhëhequr klubin e qytetit që atëherë ishte në ligë të parë të Jugosllavisë dhe në krizë. Qira, siç u quajt nga shqiptarët, hyri në legjendë. Por, ai nuk e ngriti vetëm nivelin e futbollit. Ai e ngriti edhe nivelin e patriotizmit shqiptar dhe simpatinë për kroatët.

Kur kam shkuar ushtar (1986) në Zagreb, sërish e kam ndryshuar mendimin për kroatët. Kjo ishte për arsye se edhe ata kishin filluar ta ndryshonin mendimin për ne. Jugosllavia jepte shenjat e para të shpërbërjes dhe kjo gjë hetohej dhe krijonte aleanca të reja edhe në ushtri, në organizatën më të besueshme të sistemit. Komandanti i çetës ku më dërguan quhej Peretin (më duket që emrin e kishte Ivo). Ka qenë kroat dhe nacionalist. Në fillim kam menduar se është provokativ meqë guxonte ta shprehte këtë nacionalizëm gati haptas. Por, më vonë doli e vërtetë dhe nuk e mbante fshehur as simpatinë që kishte për ushtarët shqiptarë.

Ajo që ndodhi pastaj me Jugosllavinë i afroi edhe më shumë kroatët dhe shqiptarët. Në luftën e Kroacisë për pavarësi kanë marrë pjesa qindra shqiptarë, nëse jo mijëra.  Disa edhe e kanë dhënë jetën për Kroacinë. Por, asnjë nga kroatët nuk erdhi në luftën e Kosovës për t’ua kthyer borxhin aleatëve shqiptarë.

Sidoqoftë, tashti duket se qëndrimi i përgjithshëm i kroatëve për shqiptarët është më real. Nuk duhet të habitemi nëse në ndonjë nënshtresë të tyre ende ka mbetur ideja se shqiptarët janë primitivë dhe se Kosova është një lloj shkretëtire ekonomike dhe kulturore.

Por, intelektualët kroatë, kryesisht, kanë pasur qëndrim pozitiv për shqiptarët. Në këto kushte edhe simpatia e ndërsjellë, sidomos kjo e shqiptarëve për kombëtaren e futbollit kroat, ka kuptim. Këtij kuptimi i shtohet edhe fakti atraktiv që kroatët po i japin ngjyrë patriotike fitoreve të tyre. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kulture
SHKRIRJE

SHKRIRJE

NUMUROVA VITET…

NUMUROVA VITET…

Shoqet e mia

Shoqet e mia

AJO ËNDËRR QË …

AJO ËNDËRR QË …

DUA MË FORT

DUA MË FORT

Poezi
Kalo në kategori