Në vazhdim po ua përcjellim komunikatën e bordit të Sigal Prishtinës.

“Të nderuar anëtarë të Bordit të FBK-së,


Në lidhje me Vendimin tuaj të datës 21 maj 2013, Bordi i KB Sigal Prishtina, i dalë nga marrëveshja e mirëkuptimit e datës 12 tetor 2011, në mbledhjen e mbajtur më 21 maj 2013, ka marrë njëzëri vendimin si në vijim:

1. Ia rikujtojmë Bordit të FBK-së se KB Sigal Prishtina ka treguar dhe vazhdon të tregojë respekt ndaj të gjitha klubeve kundërshtare, me të cilat mëton të mbajë marrëdhënie korrekte dhe sportive. Në vijimësi të kësaj fryme, ia rikujtojmë tërë opinionit se KB Sigal Prishtina asnjëherë në historikun e saj nuk i është shmangur përballjeve sportive.

2. KB Sigal Prishtina konsideron se ekziston një konlikt i hapur interesi mes Kryetarit të FBK-së dhe Kryetarit të KB Peja, të cilin Bordi i FBK-së duhet ta trajtojë me urgjencë.

3. KB Sigal Prishtina konsideron se vendimi i marrë nga Bordi i FBK-së është tendencioz dhe imponues dhe kërkesa për të konfirmuar kërkesën tonë, e cila na është paraqitur në formë ultimatumi, edhe një herë pretendon se brenda Bordit të KB Sigal Prishtina nuk ka homogjenitet. Me këtë rast dhe përmes këtij vendimi konfirojmë se Bordi i KB Sigal Prishtina është i njëzëshëm në mbrojtjen e interesave të KB Sigal Prishtina dhe të basketbollit në përgjithësi. Kjo gjë konfirmohet me nënshkrimet e të gjithë anëtarëve të Bordit të KB Sigal Prishtina të pranishëm në mbledhjen e thirrur urgjentisht sot”.

/Telegrafi/ 

telegrafi sport app