Brad Pitt ka surprizuar publikun kur ka ofruar plot 120 mijë dollarë për një mbrëmje me aktoren Emilia Clarke – por jo për një takim romantik. Sipas LADbible, aktori i famshëm tentoi të fitonte në një ankand humanitar mundësinë për të parë një episod të serialit hit Game of Thrones në shoqërinë e vetë Daenerys Targaryen.

Në mbrëmjen bamirëse morën pjesë shumë fytyra të njohura, përfshirë kolegun e Clarkes nga seriali, Kit Harington, themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, si dhe yjet si Leonardo DiCaprio, Arnold Schwarzenegger dhe Lena Dunham. Në një moment, edhe vetë Harington – Jon Snow i serialit – ofroi t’i bashkohej fituesit të ankandit, duke rritur edhe më shumë vlerën e ofertave.


Emilia Clarke, në një intervistë të mëvonshme, pranoi se kishte mbetur paksa e zhgënjyer që Pitt nuk arriti të fitonte ankandin.
“Bëhej fjalë për një iniciativë bamirësie dhe më kërkuan edhe mua të merrja pjesë. Kur nisi ankandi, kuptova që Brad Pitt po bënte ofertë për mua,” tregoi aktorja me të qeshur. “E pashë nga larg dhe ai po mbante tabelën për të përzgjedhur! Fatkeqësisht, u tejkalua”.

Foto: EPA

Edhe pse Pitt nuk fitoi mbrëmjen me Clarken, ai dhe Leonardo DiCaprio u ndeshën sërish në një tjetër ankand atë natë. DiCaprio ofroi 80 mijë dollarë për një pikturë të artistit Josh Smith, por Pitt e kaloi me 90 mijë dollarë. Megjithatë, aktori i The Wolf of Wall Street nuk mbeti duarbosh, pasi bleu një tjetër vepër të disponueshme.

Ngjarja daton në janar të vitit 2018, në mbrëmjen vjetore të bamirësisë që organizon Sean Penn për të ndihmuar Haitin. Evenimenti, i mbajtur në Los Angeles, mblodhi shumë yje të gatshëm për të kontribuar për organizatën J/P HRO. Oferta fillestare për “mbrëmjen me Clarken” ishte 20 mijë dollarë, por Pitt e rriti menjëherë në 80 mijë dhe më pas në 120 mijë.

Foto: EPA

Megjithatë, një mysafir anonim e mposhti atë me një ofertë të pabesueshme prej 160 mijë dollarësh, duke fituar ankandin. /Telegrafi/