LAJMI I FUNDIT:

Si ta hiqni qafe zbokthin në mënyrë natyrale

Si ta hiqni qafe zbokthin në mënyrë natyrale

Shamponet kundër zbokthit përmbajnë përbërës kimikë, shumë agresiv, që në raste të veçanta mund të ndikojnë dëmshëm edhe në shëndetin, në përgjithësi. Mu për këtë, më mirë do të ishte të përcaktoheni për preparate natyrale.

Ju sjellim disa nga recetat se si ta largoni zbokthin në mënyrë krejt natyrale:

Vaji i ullirit
Përzieni dy lugë me vaj ulliri me një lugë vaj bademi. Lehtë vendoseni në kokë, duke ua bërë një masazh të lehtë rrënjës së flokëve. E lini të reagojë së paku për nja 15 minuta, e më pas shpëlajini flokët. Po ashtu, mund ta përgatitni një përbërës nga vaji i ullirit dhe rozmarina. Në një lugë vaj ulliri vendosni dhjetë pika vaj rozmarine. Me kujdes vendoseni në flokë dhe do të ishte mirë që një përgatitje si kjo të qëndrojë aty gjatë gjithë natës. Në mëngjes pastroni flokët mirë. Po ashtu, provoni me vaj argani, sepse ndihmon në sekretimin e sebumit.


Uthulla e mollës
Një nga mënyrat është që uthullën e mollës ta përzieni me ujin. Shpëlani flokët me këtë përzierje dhe lëreni të qëndrojë ashtu gjatë gjithë natës. Të nesërmen flokët i shpëlani me shampon foshnjash, sepse e kanë një formulë më të butë. Nëse e keni një lëkurë më të ndjeshme, ju sugjerojmë që në gotën gjysmë litërshe të përzieni 1dl uthull molle. Pasi t’i keni pastruar flokët, merreni këtë përzierje dhe ngadalë vendoseni në flokë. Ndoshta do të ndieni një djegie të vogël, por kjo është krejt normale. Bëjuni masazh flokëve, si dhe shpëlajeni me një dush të lehtë për të mos pasur ‘aromë’ uthulle.

Lëngu i limonit
Shtrydheni limonin, dy lugë nga lëngu i fituar merrni dhe lyejini rrënjët e flokëve. Merreni një gotë me ujë, edhe aty shtoni lëng limoni, e më pas përsëri vendoseni në flokë. Pas disa minutave shpëlajini flokët me ujë të vakët. Një trajtim si ky mund ta përsëritni disa herë brenda javës, në mënyrë që rezultatet të jenë maksimale, apo derisa zbokthin ta zhdukni njëherë e përgjithmonë.

/Telegrafi/