LAJMI I FUNDIT:

Si po reagon ekonomia gjermane pas vendimit për shtrëngimin e masave nga pandemia COVID-19?

Si po reagon ekonomia gjermane pas vendimit për shtrëngimin e masave nga pandemia COVID-19?

Vazhdim i mbylljes nga pandemia COVID-19, por jo edhe mbyllje e prodhimit. Më shumë punë nga shtëpia dhe më shumë ndihma financiare, janë vendimet e fundit. Po cilat janë reagimet e ekonomisë?

Shoqata Qendrore e Zejeve Gjermane (ZDH) mund të shikojë pak më pozitivisht vendimet e qeverive federale dhe të landeve.


“Ky është një lajm i rëndësishëm për shumë biznese zejtarësh dhe punonjësit e tyre se nuk do të ketë një bllokim të plotë ekonomik për momentin. Për të përjashtuar një lockdown të këtillë edhe në të ardhmen, e me shpresë se zejtarët mund të rifillojnë punën, tani duhet të ruajmë shëndetin e punonjësve”, tha kryetari i ZDH-së, Peter Wollseifer.

Si shumë të tjerë edhe ai ka kërkuar ndihmë të shpejtë dhe një procedurë më të thjeshtë të pagesave.

Në krizën e pandemisë, ndërmarrjet e shumë degëve po luftojnë për ekzistencë.

Shoqata e Tregtisë Gjermane (HDE) në veçanti ka kritikuar faktin se ndihmat e premtuara ende nuk kanë mbërritur tek personat që kanë nevojë dhe po bën presion për përmirësimin e ndihmës së shtetit.

“Tregtia me pakicë po humb për shkak të lockdown mesatarisht 600 milionë euro në ditë gjatë muajit janar. Bizneset kanë humbur shumë në kohën e Krishtlindjeve, në muajt nëntor dhe dhjetor, e tani shumë ndërmarrje nuk mund t’i kompensojnë këto humbje, pa fajin e tyre. Njëkohësisht HDE ka përshëndetur vendimin e qeverisë federale për të ndihmuar këto biznese. Tani ministri i Financave, Olaf Scholz (SPD) dhe ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU) duhet t’i realizojnë këto premtime”, tha drejtori i HDE Stefan Genth.

Presidenti i Institutit për Ekonominë Botërore në Kiel (IfW), Gabriel Felbermayr, paralajmëron mundësinë e një vale të re falimentimesh, për shkak të mbylljeve të fundit.

“Sa më gjatë të shkojë mbyllja, aq më shumë do të vuajnë kompanitë, aq më shumë shpenzohen rezervat e tyre, aq më të mëdha janë gjasat që të shohim një valë të madhe falimentimesh në fund të krizës. Më e pakta që duhet të ndodhë tani është që dikush të përpiqet me pagesa të mëdha të ndihmojë ekzistencën e sipërmarrjeve të cilat kanë ardhur në këtë situatë, pa fajin e tyre”, tha ai për gazetën Bild Live.

Pas kritikave masive qeveria federale ka vendosur të martën që ndihmat të shkojnë më shpejtë tek ata që i kanë kërkuar ato.

“Ndihmat do të jenë më e thjeshta, më të mëdha dhe me orientim të qartë”, tha ministri i Financave, Olaf Scholz.

Ai është dakord me ministrin e Ekonomisë, Peter Altmaier, i cili kishte deklaruar se, “ne do të thjeshtojmë në mënyrë drastike ndihmën për tejkalimin e gjendjes dhe do t’i shtojmë ndihmat”.

Vendimi që punëdhënësit në të ardhmen t’u mundësojnë punonjësve që të punojnë nga shtëpia kudo që është e mundur, u shoqërua me kritika nga përfaqësuesit e punëdhënësve.

“Vendimet janë të ‘papranueshme’. Ministri i Punës, Hubertus Heil ka bërë të ditur në nëntor se kjo nuk do të ndodhë. Të thuash se kjo masë është një mjet për luftimin e pandemisë, kjo të krijon përshtypjen se ministri po e përdor këtë për qëllime të brendshme politike”, tha drejtuesi i shoqatës së punëdhënësve Gesamtmetall, Oliver Zander.

Në trafikun e qytetit dhe në dyqane parashikohet mbajtja e maskave të posaçme për më shumë siguri. Në të ardhmen atje duhet të mbahen maska ​​kirurgjikale ose maska me standardet KN95/N95 ose FFP2. Për më tepër, nga kompanitë e transportit kërkohet të rrisin ofertën e tyre. Në këtë mënyrë, rregullat e distancës mund të respektohen më mirë, veçanërisht në periudhat e pikut të lëvizjes.

“Nëse rruga deri në punë identifikohet si një rrezik i veçantë, atëherë sektori publik duhet të rrisë numrin e automjeteve për transport publik, në vend se të kërkojë që të përdoren maska FFP2 dhe të largojnë vëmendjen nga dështimet e tyre”, tha Zander.

Shoqata e Kompanive Gjermane të Transportit (VDV) kumtoi se, “është e vetëkuptueshme” që do të mbështesë këtë vendim.

Kryetari i VDV-së, Ingo Wortmann tha se, kërkesa për shtrëngimin e masave për maska është e “panevojshme”.

Drejtori i Allianz pro Schiene, Dirk Flege, theksoi se duhet të shikohet mirë vendimi për mbajtjen e maskave. Por në thelb ai e cilësoi si pozitiv këtë vendim.

“Më shumë autobusë dhe trena – si dhe kërkesa për maska, kjo rrit sigurinë për të gjithë përdoruesit e transportit publik”, tha Flege.

Ndërsa, përfaqësuesit e institucioneve financiare si Andreas Scheuerle janë të kënaqur me vendimet, sepse ata kanë pasur frikë se masat do të jenë edhe më të ashpra.

“Nga pikëpamja ekonomike, mbyllja edhe më e madhe dhe mbyllja e mundshme e kufijve do të kishin qenë shumë më të dëmshme për ekonominë. Për momentin këto janë evituar”, thotë Scheuerle.

Ngjashëm mendojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera financiare. /Deutsche Welle/