LAJMI I FUNDIT:

Si pasojë e coronavirusit është anuluar edhe New York Auto Show

Si pasojë e coronavirusit është anuluar edhe New York Auto Show

Pas Geneva Motor Show, si pasojë e coronavirusit nuk do të zhvillohet as ky aktivitet i rëndësishëm për vetura

Shumica e industrive kanë pësuar nga shpërthimi i coronavirusit, ndërsa industria e automobilizmit nuk është imun, transmeton Telegrafi.


Ditë më parë, ishte planifikuar të fillonte Geneva Motor Show, por është anuluar nga frika se mund të jetë një qendër e përhapjes së virusit. Lidhur më këtë aktivitet, nuk është thënë nëse ka plane të zhvillohet dikur më vonë.

Për arsye të njëjtë, është anuluar edhe New York Auto Show që ishte planifikuar të zhvillohej gjatë muajit që vjen, por ky aktivitet planifikohet të zhvillohet më vonë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se do të zhvillojnë në konferencë gjatë muajit gusht, ndërsa do të hapin dyert e këtij aktiviteti nga 28 gushti deri më gjashtë shtator.

“Këtë hap të jashtëzakonshëm, e kemi ndërmarrë për t’i mbrojtur prodhuesit e makinave si dhe klientët, nga coronavirusi”, ka thënë Mark Schienber, që është njëri nga organizatorët.

Vendimi për anulimin e zhvillimit të New York Auto Show, pas 120 vitesh që zhvillohet në datë të njëjtë nuk ka qenë i lehtë, por për shkak të sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme, është vendosur që të mos zhvillohet.

Të gjithë pjesëmarrësit, kanë pranuar se do ishte e udhës, që të anulohet kjo datë e zhvillimit dhe ky aktivitet të fillojë në një kohë kur është sa më sigurt. /Telegrafi/