Nga: Umberto Eco
Përktheu: Daut Dauti

Nuk e di nëse ju ka ndodhur ndonjëherë të shikoni film pornografik. Nuk jam duke menduar për filmat me ndonjë përmbajtje erotike, siç është p.sh. ‘Tangoja e fundit në Paris’, që madje edhe ky, ma merr mendja, që për shumë njerëz mund të jetë fyes. Jo, e kam fjalën për filmat e vërtetë pornografikë, qëllimi i vërtetë dhe i vetëm i të cilit është që të stimulojë dëshirën e shikuesit, që nga fillimi e deri në fund, në atë mënyrë që duke u stimuluar kjo dëshirë me skena të ndryshme dhe akte seksuale të nduarnduarta, pjesa tjetër e tregimit të llogaritet si më pak se asgjë.

Gjykatësve shpesh iu duhet të vendosin nëse një film është tërësisht pornografik apo ka ndonjë vlerë artistike në të. Unë nuk jam nga ata që insistojnë se vlera artistike i mbulon të gjitha; nganjëherë veprat e vërteta artistike kanë qenë më të rrezikshme ndaj besimit, sjelljeve, opinioneve momentale sesa që kanë qenë veprat me vlerë më të ulët. Por, unë besoj se të rriturit në moshë, nëse pajtohen, kanë të drejtë që të konsumojnë material pornografik, së paku nëse nuk kanë ç’të bëjnë diç më mirë. Sidoqoftë, e kuptoj që gjykata në ndonjë rast duhet të vendosë nëse filmi është prodhuar për qëllim që të shprehë ndonjë koncept të caktuar apo për ideale estetike (edhe pse skenat e dëmtojnë pikëpamjen e pranuar të moralit) apo nëse është bërë për qëllimin e vetëm të nxitjes së instinkteve të shikuesit.

Nejse, ekziston një kriter për të vendosur nëse filmi është pornografik ose jo, dhe është i bazuar në kalkulimin e kohës së humbur. Në filmin kryevepër të përgjithshme ‘Stagecoach’ ngjarja (pos në fillim, në disa intervale dhe në fund) tërësisht ndodhë në karrocë. Por, pa këtë udhëtim, filmi nuk do të kishte kuptim. ‘L’avventura’ e Antonionit është përpiluar tërësisht nga humbja e kohës: njerëzit vijnë e shkojnë, flasin, humbin dhe gjenden, pa ndodhur asnjë gjë. Koha e humbur kot mund të jetë apo të mos jetë kënaqësi, por filmi është saktësisht për këtë gjë.

Në kontrast, filmi pornografik, për ta arsyetuar çmimin e biletës apo të blerjes së video kasetës, na tregon se disa njerëz çiftëzohen seksualisht, burrë me grua, burrë me burrë, grua me grua, grua me qen ose me hamshorë (me duhet të theksoj se nuk ka filma pornografikë në të cilët burrat çiftëzohen me pela dhe bushtra: pse jo?). Dhe, kjo përsëri do të ishte në rregull: por është tërësisht humbje e kohës.

Nëse Gilberti, me qëllim që ta dhunojë Gilbertinën, i duhet të shkoj nga ‘Lincoln Center’ në ‘Sheridon Square’, filmi ua tregon Gilbertin në veturë të tij gjatë tërë udhëtimit, skenë pas skene.

Filmat pornografikë janë plot me njerëz që hipin në vetura dhe i ngasin me kilometra e kilometra, çifte që humbin gjatësi të mëdha të kohës duke nënshkruar në recepcionin e hotelit, burrat që humbin gjithë ato minuta në lifta para se të mbërrijnë në dhomat e tyre, vajzat që qojnë gllënjka të pijeve të ndryshme dhe që e humbin kohën duke luajtur me lidhëset e bluzave para se t’i rrëfejnë njëra tjetrës se më shumë e preferojnë Safon sesa Don Zhuanin. Që ta thjeshtësojmë, vrazhdësisht, në filmat porno, para se të shihni një akt të shëndoshë të asaj pune, duhet të përballoheni me një dokumentar që edhe mund të sponsorohet nga Zyra e Komunikacionit.

Ekzistojnë arsye të qarta për këtë gjë. Në një film ku Gilberi nuk bënë asgjë pos që e dhunon Gilbertinën nga para, prapa dhe anash, do të ishte i patolerueshëm. Fizikisht për aktorët dhe ekonomikisht për producentët. Gjithashtu, do të ishte edhe psikologjikisht për spektatorin: në mënyrë që ndalesa të funksionojë, duhet që aktrimi të bëhet në sfondin e normalitetit. Portretizimi normalitetit është puna më e vështirë për secilin artist – ndërsa portretizimi i devijimit, krimit dhunimit, torturës, është shumë e lehtë.

Prandaj, filmi pornografik duhet ta prezantoj normalitetin – është thelbësore që ndalesa të ketë interes – në atë mënyrë që të pranohet nga çdo shikues. Prandaj, nëse Gilbertit i duhet të udhëtojë me autobus nga A në B, ne e shohim se si ai e pret autobusin dhe pastaj vazhdon nga A në B.

Kjo gjë shpesh i irriton spektatorët për shkak se ata dëshirojnë që skenat e heshtura të jenë kontinuale. Por, ky është iluzion i tyre. Ata nuk mund ta durojnë skenën e heshtur që zgjatë një orë e gjysmë. Pra, pasazhet e kohës së humbur kot, janë esenciale.

Po e përsëris. Shkoni në kinema. Nëse shkuarja nga A në B e personazheve zgjatë më shumë se që ju dëshironi, atëherë filmi që po e shikoni është pornografik.