Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është përfshirë së fundmi në një përplasje të ashpër virtuale me një përdoruese të rrjeteve sociale, pas disa komenteve që artistja publikoi në platformën X (ish-Twitter).

Gjithçka nisi kur Rexha reagoi mbi situatat e konflikteve globale, duke shkruar: “Gratë dhe fëmijët gjithmonë përfundojnë duke bartur dhimbjen e një lufte të shkaktuar nga burrat”.


Ky mendim i artistes ngjalli reagime të ndryshme, përfshirë edhe një kundërpërgjigje të ashpër nga një përdoruese me emrin Morgan, e cila i shkroi: “Si mund të flasësh kështu për burrat, kur e di që 99.9% e fansave të tu janë meshkuj gay? Je bërë totalisht e parëndësishme tani..”

Reagimi i Bebe Rexhës nuk vonoi. Ajo e rishpërndau komentin e Morgan, duke e kritikuar hapur: “Që në fillim e kuptova që je tepër toksike. Fansat e mi të vërtetë e dinë që kjo nuk ka të bëjë fare me fansat e mi gay, ndaj zhduku. Nuk e di për këtë ‘s’je më relevante’ – ti je në faqen time. Një gjë e di sigurt: jam më relevante se ti”.

Më pas, Rexha vazhdoi me një tjetër status ku sqaroi arsyet e saj dhe vendosmërinë për të mos heshtur ndaj sjelljeve toksike online: “Më pëlqen që mund të shkruaj këtu, ose çfarëdo që quhet. E di që është mirë të jesh pozitiv dhe të shpërndash energji të mira, por më vjen keq – nuk kam ndërmend t’i lë njerëzit toksikë të rrinë pas kompjuterit e të përhapin negativitetin e tyre. Duhet t’i vëmë këta njerëz në vendin e tyre. Le të provojnë”.

Reagimet e fansave online kanë qenë të ndara: një pjesë e ka mbështetur këngëtaren për qëndrimin e saj të drejtpërdrejtë, ndërsa të tjerë kanë diskutuar tonin e ashpër të debatit.

Megjithatë, një gjë është e qartë – Bebe Rexha nuk heziton të reagojë fuqishëm kur mendon se po sulmohet padrejtësisht, duke e shndërruar edhe këtë herë rrjetin social në një arenë përballjeje të hapur. /Telegrafi/