Jose Amael Pena i kishte vetëm 4 vjet, kur në vitin 1918 një grip “kaloi” kah fshati i tij në veri të Spanjës që njihet për peshkim, shkruan The Guardian.

Pas më shumë se një shekulli, Amael Pena për të cilin besohet se është spanjolli i vetëm i gjallë që i ka mbijetuar gripit spanjoll – pandemisë që konsiderohet si më vdekjeprurësja në historinë e njerëzimit – ka një paralajmërim për tërë botën tani që po përballet me COVID-19, transmeton Telegrafi.

“Keni kujdes. Nuk dua që e njëjta gjë të përsëritet. Ka marrë aq shumë jetë njerëzish”, ka thënë ai.

Gripi i vitit 1918 ka qenë i njohur si gripi spanjoll, pasi që të përditshmet lokale kishin raportuar të parat për këtë sëmundje, që ua mori jetën nga 50 deri në 100 milionë njerëzve në mbarë botën. Në vjeshtën e vitit 1918 ishte i vetmi nga shtatë motrat dhe vëllezërit që u prek nga gripi.

“Ende nuk po mund ta kuptojë se si jam ende këtu”, ka thënë Pena i cili tani i ka 105 vjet dhe dukej i shëndetshëm derisa po fliste për El Mundo.

“Kur u zgjova, mezi arrija të ecja. Më është dashur të shkoj zvarrë në këmbë e duar. Kam luftuar me një grip vdekjeprurës”, shtoi Pena i cili pranoi se mjekët i kishin përshkruar si recetë – zierjen e ekualiptusit dhe algat e detit.

Javët e fundit Amael Pena me frikë të madhe po vëzhgon se si po zhvillohet pandemia e re. Spanja është një nga vendet që më së shumti është prekur nga coronavirus me 3.500 viktima dhe ky numër nga çasti në çast po rritet.

“Ai e di me saktësi të plotë se çfarë po ndodh me coronavirusin”, ka deklaruar për El Mundo e bija e tij Anunsiata.

“I ka përjetuar të gjitha për këtë tani po e ka shumë të vështirë. Po frikësohet se sërish diçka e ngjashme do të ndodhë, edhe pse jetojmë në një tjetër kohë”, ka shtuar ajo.

Të arriturat shkencore kanë mundësuar që sot të izolohet ky virus dhe të testohen barnat antivirale. Në anën tjetër të Atlantikut, perspektivën e tij e ka ofruar edhe 107-vjeçari John Newman, i cili gjithashtu i kishte mbijetuar gripit spanjoll.

“Ekzistojnë disa persona si ne që thonë se edhe kjo do të zhduket. Ashtu edhe do të ndodh. Por me çfarë çmimi?” ka thënë Newman nga Sarasote e Floridas gjatë një interviste dhënë NBC News.

Newman u ka bërë apel njerëzve që të përmbahen: “Duhet të jeni përkrahja ime, dhe unë e juaja. Kështu ka kaluar çdo krizë që e kemi pasur”.  /Telegrafi/