eksperti-banner

Grimi duhet ta freskojë pamjen, jo t’i theksojë rrudhat, lodhjen dhe tiparet e ashpra. Ja cilat gabime duhen shmangur për një pamje më natyrale dhe më rinore

Shumë gra besojnë se me ndihmën e grimit mund t’i fshehin shenjat e lodhjes, rrudhat e imëta dhe parregullsitë në fytyrë. Megjithatë, ekspertët e bukurisë paralajmërojnë se zgjedhja e gabuar e produkteve dhe teknikat e papërshtatshme të grimit shpesh japin efekt të kundërt.


Në vend që ta freskojë fytyrën, grimi mund t’i theksojë vitet, t’i bëjë tiparet më të ashpra dhe të nxjerrë në pah pikërisht atë që do të donim ta fshihnim.

Prandaj, vitet e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për të ashtuquajturin grim “anti-age”, i cili nuk nënkupton sasi të mëdha produktesh, por theksim të zgjuar të bukurisë natyrale dhe freskisë së lëkurës.

Pudrat shumë të rënda i theksojnë rrudhat

Një nga gabimet më të shpeshta është përdorimi i pudrave të trasha, plotësisht mat, që premtojnë mbulim të përsosur.

Edhe pse në shikim të parë duken pa të meta, formula të tilla shpesh futen në vijat e imëta dhe rrudha, duke e theksuar edhe më shumë teksturën e lëkurës.

Në vend të tyre, ekspertët rekomandojnë baza më të lehta, kremra me ngjyrë, formula BB ose CC, të cilat e njëtrajtësojnë tenin dhe njëkohësisht lënë shkëlqim natyral e freski.

Eyelineri i errët mund ta “mbyllë” shikimin

Shumë gra i mbeten besnike për vite të tëra së njëjtës teknikë të grimit të syve, pa e vërejtur se ajo nuk i përshtatet më fytyrës si dikur.

Një vijë e trashë e zezë përgjatë kapakut të poshtëm shpesh i bën sytë të duken më të vegjël dhe i jep fytyrës pamje të lodhur.

Zgjedhje shumë më e mirë janë nuancat më të buta, si kafe, gri ose tonet taupe. Ndërsa një laps i çelët në vijën e brendshme të syrit mund ta bëjë shikimin të duket më i hapur dhe më i çlodhur, transmeton Telegrafi.

Vetullat nuk duhet të jenë shumë të ashpra

Vetullat tepër të theksuara mund t’i japin fytyrës shprehje më serioze dhe ta bëjnë atë të duket më e vjetër.

Ekspertët këshillojnë të përdoret një nuancë një ton më e çelët se ngjyra natyrale e vetullave dhe të ndiqet forma e tyre natyrale.

Qëllimi nuk është krijimi i vetullave të rënda dhe shumë të vizatuara, por mbushja e lehtë e boshllëqeve dhe ruajtja e një pamjeje sa më natyrale.

Buzëkuqët e errët shpesh shtojnë vite

Edhe pse nuancat bordo, kafe të errët dhe vjollcë mund të duken elegante, ato shpesh i bëjnë buzët të duken më të ngushta dhe i theksojnë vijat e imëta rreth tyre.

Për një pamje më të freskët rekomandohen formula kremoze në tone natyrale, rozë ose pjeshke.

Pak shkëlqim në mes të buzëve mund të krijojë shtesë përshtypjen e buzëve më të plota dhe të një pamjeje më rinore.

Skuqësi mund ta ngrejë vizualisht fytyrën

Mënyra e vendosjes së skuqësit luan rol shumë më të madh nga sa mendojnë shumë njerëz.

Nëse vendoset shumë poshtë, fytyra mund të duket e rënë dhe e lodhur.

Prandaj, grimierët këshillojnë që skuqësi të vendoset lehtë në pjesën më të lartë të mollëzave, duke ndjekur vijën natyrale të ngritjes së fytyrës. Bronzeri duhet përdorur me kursim dhe kujdes, në mënyrë që të mos krijojë efekt të rëndë.

Hapi më i rëndësishëm vjen para grimit

Pavarësisht cilësisë së produkteve, asnjë grim nuk do të duket bukur mbi një lëkurë të dehidratuar.

Pikërisht për këtë arsye, grimierët profesionistë theksojnë se përgatitja e lëkurës është gjysma e suksesit.

Para vendosjes së grimit rekomandohet serum hidratues, krem cilësor dhe, sipas nevojës, primer i përshtatur me tipin e lëkurës.

Kur lëkura është e kujdesur mirë, nevojitet shumë më pak produkt që ajo të duket e shëndetshme, e çlodhur dhe me shkëlqim.

Rregulli që nuk del kurrë nga moda

Nëse ka një mësim që ekspertët e bukurisë e përsërisin më shpesh sot, ai është: më pak është më shumë.

Qëllimi i grimit nuk është ta fshehë fytyrën, por t’i theksojë tiparet më të bukura të saj. Kur përdoret me kujdes dhe me masë, grimi mund ta freskojë pamjen, t’i rikthejë fytyrës gjallërinë dhe të na bëjë të dukemi më të çlodhura e më të reja, pa efektin e maskës. /Telegrafi/