Ka 47 vjet dhe pothuajse asnjë rrudhë: Grimerja e Kate Hudson zbulon trukun për pamje rinore


Lëkura e hidratuar mirë, produktet e lehta dhe përdorimi i grimit vetëm aty ku duhet mund ta bëjnë fytyrën të duket më e freskët, më natyrale dhe më e re
Përveç kujdesit të duhur për lëkurën, ekzistojnë edhe disa truke të vogla që e bëjnë atë të duket më e lëmuar dhe më e lehtë, pa u vërejtur se në fytyrë janë përdorur produkte për mbulimin e papërsosmërive.
Pak kush do të thoshte se Kate Hudson ka 47 vjet, sepse lëkura e saj e ndritshme dhe e tendosur pothuajse nuk i tregon vitet. Aktorja shpesh tërheq vëmendjen me tenin e saj të rregullt, ndërsa tani grimerja e saj shumëvjeçare ka zbuluar se ku qëndron sekreti.
Naoko Scintu, e cila punon me shumë yje të njohur, thotë se çelësi i pamjes rinore është: sa më pak grim.
“Kate shpesh më thotë se, falë meje, ka ndjesinë sikur nuk mban fare grim. Për mua, ky është komplimenti më i madh”, ka treguar Naoko.
Sipas saj, sekreti nuk qëndron te shtresat e trasha të pudrës, por te lëkura e hidratuar mirë, transmeton Telegrafi.

“Te lëkura më e pjekur, më e rëndësishmja është hidratimi. Në vend të pudrave të rënda, përdor bazë për grim, një produkt të lehtë me ngjyrë për njëtrajtësimin e tenit, ndërsa korrektor vendos vetëm aty ku është vërtet e nevojshme. Qëllimi është që lëkura të duket natyrale dhe e freskët”, ka shpjeguar grimerja.
Ajo ka rrëzuar edhe një nga mitet më të shpeshta kur bëhet fjalë për grimin e lëkurës së pjekur: se pudra në pluhur duhet shmangur plotësisht.
“Unë gjithmonë përdor pudër transparente, sepse duket shumë më natyrale. Me kalimin e viteve, më e rëndësishmja është që lëkura të duket e shëndetshme dhe plot shkëlqim”, thotë Naoko.
Në fund, ajo thekson se pikërisht thjeshtësia është sekreti më i madh i pamjes së përsosur.
“Më pak do të thotë më shumë. Kur përdorni më pak produkte, grimi nuk do të mblidhet në rrudha, ndërsa fytyra do të duket më natyrale, më e freskët dhe shumë më e bukur”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/





































