LAJMI I FUNDIT:

Shumë deputetë, njërën këmbë në Kuvend e tjetrën në fushatë për kryetar komune

Shumë deputetë, njërën këmbë në Kuvend e tjetrën në fushatë për kryetar komune
Foto: Arkiv

Disa kandidatë për kryetarë të komunave aktualisht mbajnë poste tjera politike.

Në rast se zgjidhen nga populli për të drejtuar komunat ku ata janë kandiduar, disa kandidat do të detyrohen të heqin dorë nga njëri post.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili tashmë ka lënë pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës, por disa deputetë të tjerë nga parti të ndryshme ende vazhdojnë të mbajnë pozitën e  deputetit.


Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë të komunave që aktualisht janë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Asnjëri nga ta, pavarësisht se ka nisur fushata për zgjedhjet lokale nuk është tërhequr nga pozita e deputetit.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës kishte tre kandidatë të tillë, tani kanë mbetur vetëm me dy, pas tërheqjes së Uran Ismailit, që liroi pozitën e deputetit.

Ligjërisht ata nuk janë të detyruar t’i lirojnë pozitat e tyre aktuale duke qenë vetëm kandidat për kryetar komune.

Por, profesori universitar Faton Ismaili kritikon praktikën e mos lëshimit të pozitës së deputetit apo ministrit në këto raste.

“Në aspektin moral, secili kandidat që është në garë do të duhej të japë dorëheqje dhe t’i përkushtohet garës elektorale. Do të ishte më e natyrshme që këta kandidatë të dalin para qytetarëve për të kërkuar votën pa ndonjë angazhim shtesë”.

Emir Abrashi nga Demokracia Plus tregoi formën se si zëvendësohen deputetët apo ministrat që marrin pozitat e tjera.

“Procedura e zëvendësimit të atij kandidati [deputeti që dorëhiqet] bëhet nga kandidati i radhës i së njëjtës parti i cili nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në listën e deputetëve të asaj partie. Zëvendësimi bëhet nga lista zgjedhore e partisë që i përket kandidati që ka liruar detyrën”, tha Abrashi për RTV Dukagjini.

Lëvizja Vetëvendosje kandidatë që kanë pozita tjera ka Arben Vitinë, Alban Hysenin, Mimoza Kusari-Lilën, Salih Zybën e Adnan Rrustemin.

Partia Demokratike e Kosovës kishte Uran Ismailin, ka Fadil Nurën, Floretë Zejnullahun dhe Bedri Hamzën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deputetët Besnk Tahiri e Bekë Berisha që synojnë të bëhen kryetarë të komunave.

Partitë e tjera nuk kanë ministra apo deputetë që kanë kandiduar edhe për kryetar të ndonjë komune./Telegrafi/