LAJMI I FUNDIT:

Shtyrja e vendimit për 48 orë, kërkesa e SHBA-ve dhe pranimi i Kurtit – gjithçka që dihet deri më tani

Shtyrja e vendimit për 48 orë, kërkesa e SHBA-ve dhe pranimi i Kurtit – gjithçka që dihet deri më tani

Diskutimet e gjata të hënën në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk sollën një ujdi se si të procedohet tutje me çështjen e targave ilegale serbe. 

Kosova nuk pranoi propozimin e BE-së që të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM,PR .. ndërsa pala tjetër nuk pranoi propozimin e Kosovës që të pezullojë fazat e mëtejme që kanë të bëjë me targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, e po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.


Propozimi i BE-së është përkrahur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

E kur mbetën vetëm disa orë deri në zbatimin e vendimit për gjoba për të gjithë ata që kanë targa ilegale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, shtyrje të vendimit për 48 orë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier përmes një deklarate ka bërë të ditur se SHBA ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa për një periudhë prej 48 orësh në mënyrë që të mundësohet që BE-ja dhe SHBA-ja t’i angazhojnë palët për të gjetur zgjidhje.

“SHBA-ja është e shqetësuar që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë dhënien e gjobave për të lejuar BE-në dhe SHBA-në të angazhojnë më tepër palët për gjetje të një zgjidhje”, thuhet në deklaratë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

E propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje prej 48 orësh i tha po kryeministri Kurti.

Ai tha se ka pranuar që të shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës dhe ky vendim erdhi pas kërkesës së SHBA-së.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka falënderuar ambasadorin Hovenier për përkushtimin ndaj procesit të dialogut.

“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Propozimet në Bruksel dhe deklaratat e ashpra pas takimeve

Pas përfundimit të takimit të së hënës Kurti-Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, Bashkimi Evropian ka dhënë detaje.

BE ka bërë të ditur se takimi ndërmjet tyre kishte filluar në ora 08:00 të së hënës dhe ka zgjatur për tetë orë, por nga i cili takim nuk doli zgjidhje.

Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme që kanë të bëjë me targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, e po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit në Bruksel në një deklaratë për media

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka propozuar që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM.

Propozimi i BE-së është refuzuar nga Kurti, ndërsa është përkrahur nga Vuçiq.

E pas përfundimit të takimit, Borrell ka dal me një deklaratë për media, deklaratë kjo që u kritikua për shkak të anshmërisë.

“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, morën pjesë në këtë takim, duke ardhur në Bruksel. Dhe ishte e rëndësishme që ata e bënë sepse ne e gjendemi përsëri në një situatë tjetër krize.

Dhe kjo ndodh vetëm tre muaj pas takimit të fundit të krizës – nga kriza në krizë. Kësaj radhe është edhe më keq se në gusht, kur më duhej të vija në Bruksel në mes të gushtit për të shmangur krizën e mëparshme. Që nga gushti, mosmarrëveshja për targat është përkeqësuar. Kosova kishte vendosur që nga 22 nëntori – do të thotë sonte në mesnatë  – të fillojë shqiptimin e gjobave për ata që nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre”, tha ai.

Borrell më tej përmend largimin e serbëve nga institucionet në veri të Kosovës, duke thënë se kjo është pasojë e vendimit për targat. Ai theksoi se kjo lë një vakum shumë të rrezikshëm sigurie – një vakum në terren, në një situatë tashmë shumë të brishtë.

“Po, ne kemi një mision atje, kemi misionin e EULEX-it dhe, po ashtu, trupat e KFOR-it janë të pranishëm, por ata nuk mund ta marrin rolin e policisë lokale: nuk është në mandatin e tyre dhe as në kapacitetet e tyre”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell

Borrell më tej thekson se sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe përshkallëzim, duke mos respektuar detyrimet e rëndësishme dhe detyruese të dakorduara shumë vite më parë në kuadër të dialogut [Prishtinë – Beograd] që po zhvillohet nga Bashkimi Evropian.

“Që nga vera e kaluar, ne jemi të preokupuar me menaxhimin e përhershëm të krizave, duke u përpjekur të shmangim një afat pas tjetrit: nga afati në afat, nga kriza në krizë.

Kjo do të thotë se ne nuk kemi qenë në gjendje të adresojmë çështjen reale. Çështja e vërtetë është normalizimi i marrëdhënieve, i cili do të zgjidhte dhe parandalonte situata të tilla krize – pasi shkaqet rrënjësore shkojnë shumë përtej targave. Ia kam bërë shumë të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdojmë kështu, se ky rreth vicioz krizash dhe afatesh duhet të ndalet.

Si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti janë liderë të zgjedhur me mandate të forta. Ne presim që ata të tregojnë lidership dhe vullnet për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që ata të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane.

Por pas shumë orë diskutimesh, që prej orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, dy palët nuk ranë dakord për një zgjidhje”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së.

Ai tha se ka një përgjegjësi të rëndësishme [nga ana e të dy liderëve] për dështimin e bisedimeve dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren në ditët në vijim.

“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne bëmë një propozim, që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, të cilin presidenti Vuçiq e pranoi sot, por fatkeqësisht nuk e bëri kryeministri Kurti.

Për të shmangur përshkallëzimin, unë do të bëj një lutje. Do të kisha dashur të ishte një marrëveshje, por duke qenë se nuk ka marrëveshje, më lejoni t’i pyes në mënyrë solemne të dyja palëve:

Së pari, tani pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme që kanë të bëjnë me ri-regjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. E përsëris: Pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme lidhur me riregjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. Dhe Serbia të pezullojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, duke përfshirë targat KM.

Ky ishte propozimi që pothuajse e arritëm, por duke qenë se nuk ishte e mundur për shumë arsye të ndryshme [arritja e marrëveshjes], dua të theksoj se po u bëj thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këto dy kërkesa”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së theksoi më tej se mungesa e marrëveshjes do të thotë gjithashtu se duhet të nxjerrin përfundimet e tyre se si po zhvillohet ky proces negociatash.

“Unë do të informoj shtetet anëtare. Unë do t’i informoj kolegët e mi, Ministrat e Punëve të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe mungesën e respektimit të detyrimeve të tyre ligjore ndërkombëtare – dhe, më duhet të them, kjo vlen veçanërisht për Kosovën.  E di, kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ.

Në mbyllje, ua kam bërë shumë të qartë të dy liderëve se nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi i tyre përfundimtar, për të cilin janë përkushtuar të dy, ne presim që ata të veprojnë në përputhje me këtë.

Nga ana ime, unë do ta mbaj dialogun shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian [për dialogun Beograd-Prishtinë], Miroslav Lajçak. Dhe dua ta lavdëroj për punën e tij, për durimin e tij, për angazhimin e tij të fortë. Për sa i përket propozimit që së bashku kishim shtruar dhe që mori mbështetje të fortë nga Franca dhe Gjermania, mendoj se është ende rruga e mundshme për të dalë nga kjo krizë, me perspektivën e normalizimit dhe përmbushjes së plotë të çdo angazhimi, angazhimi dhe marrëveshjeje”, tha ai.

Pas deklaratës së Borrelit, ka reaguar ashpër presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Ajo përmes një shënimi në Facebook thotë se rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria.

“Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar”.

Osmani thotë se sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, marrëveshjet e shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën.

Ajo ka renditur 15 shkeljet që thotë se Serbia është zotuar para BE-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

E kryeministri Kurti, pas takimit në Bruksel ka thënë se propozimi që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM, është i papranueshëm për palën kosovare.

“Por për neve natyrisht se është e papranueshme nëse kjo nuk shoqërohet për atë çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë”.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët Borell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023”, theksoi Kurti.

Ai se Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E ndaj kësaj deklarate kanë reaguar menjëherë nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë të hënën se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Lidhur me takimin në Bruksel ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai theksoi se pala kosovare gjatë takimit të sotëm nuk ka dashur të dëgjojë për çfarëdo zgjedhje kompromisi sa i përket çështjes së targave.

“Kemi dhënë gjithçka nga vetja, e në disa raste kemi pranuar kërkesa të reja dhe sërish tjera, e në një moment pas një orë e gjysmë i thash përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçakut dhe nuk ka asgjë nga kjo, e kuptova se koha do të kalojë dhe do të shfaqen vazhdimisht kërkesa të reja dhe pala kosovare nuk dëshironte kurrfarë zgjidhje kompromisi”, shtoi Vuçiq, i cili njihet për fjalimet e tij plot dramë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

E në kohën kur të hënën u pa se nuk ka ujdi për çështjen e targave, mediat në Serbi raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjendet në Mitrovicë.

Sveçla pas këtyre raportimeve ka reaguar menjëherë, duke thënë se është shtuar propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë.

Sipas tij, qëllimi i tyre është për të krijuar shqetësim e shtuar pasigurinë tek opinion publik.

“Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme. Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikëri e vendosmëri”, u shpreh ai.

Ministri theksoi se Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Për situatën ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se NATO është e zhgënjyer që nuk është arritur të gjendet zgjidhje për problemin e targave në veri të Kosovës.

“Fola me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Jemi të zhgënjyer që nuk ishte e mundur të zgjidhej mosmarrëveshja e targave. Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget. KFOR-i mbetet vigjilent”, ka shkruar Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

E për çështjen e sigurisë të hënën në mbrëmje janë takuar komandanti i KFOR-it  gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia dhe ministri Xhelal Sveçla.

Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës.

“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë Komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë, ministrin e Mbrojtjes të Serbisë”, thuhet në komunikatën e misionit të KFOR-it që udhëhiqet nga NATO-ja.

“KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, me të gjitha kapacitetet e tij në dispozicion, për një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”.

“Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, thuhet tutje në njofti

Ndryshe, çështja e shqiptimit të gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë parashihte qortimin, ndërsa e dyta parashihte gjobën nga 21 nëntori. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit 2023 në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Ndërkaq, pas kërkesës së SHBA-së, kryeministri Kurti pas mesnatës shtyu për 48 orë zbatimin e vendimit për gjoba për të gjithë ata që kanë targa ilegale. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Lajme
11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Politikë
Kalo në kategori