LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet për një javë protesta e punëtorëve të sektorit privat, Azemi: Po i japim mundësi qeverisë që të shqyrtojë kërkesën

Shtyhet për një javë protesta e punëtorëve të sektorit privat, Azemi: Po i japim mundësi qeverisë që të shqyrtojë kërkesën

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës mbajti takim me kryetarë të shoqatave lidhur me protestën e paralajmëruar, ndërsa është vendosur që të shtyhet mbajtja e protestës për një javë.  

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se është normale që në momente të caktuar të marrin vendime e që protesta të shtyhet për javën tjetër.


Gjithashtu ai tha se edhe një javë i japin mundësi qeverisë që të shqyrtojnë kërkesën e tyre.

Ndryshe, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shtesa edhe për punëtorët e sektorit privat.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi ditë më parë theksoi se punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë kategori e grupit të tretë të njerëzimit.

Sipas tij, të parët që duhet stimuluar janë punëtorët e sektorit privat, pasi “janë më të varfër, kanë paga dyfish më të vogla, janë shumë më pak të mbrojtur nga ligji, më së shumti financojnë për buxhetin e shtetit”.

Më tej, në komunikatë thuhej se kjo sindikatë i është drejtuar edhe përmes një letre, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që t’i heqin kushtëzimet për kompanitë private. Por, siç ka thënë, ata nuk janë të shqetësuar për punëtorët e sektorit privat.

“Na gënjyet me paga 350 euro, me nënshkrim të marrëveshjes kolektive, themelim të gjykatës së punës, me inspektime të shpeshta nëpër kompani për të rregulluar orarin e punës. Na premtuat orar 40 orë në javë. Nëpër spitale, ambulanca e QMF, ku në të njëjtin ambient punuan mjeku, infermieri, punëtorët teknikë e ata të sigurimit fizik, ne punëtorët teknikë nuk na paguat, por na diskriminuat”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj sindikate.