Udhëheqësit politikë në Shqipëri dhe Kosovë, të dyja aleatë të zëshëm të Uashingtonit, folën fuqishëm në mbështetje të sulmit të Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës të shtunën - por shtete të tjera kërkuan kthimin e qetësisë ose nuk dhanë përgjigje.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se vendi i saj “qëndron pa mëdyshje me Shtetet e Bashkuara” dhe presidentin Donald Trump në veprimin e tyre kundër asaj që ajo e përshkroi si “regjimi narko-terrorist i Venezuelës”.


Spiropali tha gjithashtu se Shqipëria mbështet “udhëheqjen e fortë” të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në “përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”.

Udhëheqësi autoritar i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili u kap nga forcat amerikane së bashku me gruan e tij gjatë sulmit ushtarak dhe tani mund të gjykohet në SHBA, ka mohuar të ketë udhëhequr një kartel narkotikësh që dërgon drogë në SHBA - gjë që Trump e ka pretenduar si justifikim për ndërhyrje.

Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha gjithashtu se vendi i saj “qëndron fort me Shtetet e Bashkuara” dhe Trumpin.

“Presidenti Trump qëndroi në krah të popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu narko-shtetit të Maduros – duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Ja si duket forca dhe lidershipi amerikan”, tha Osmani.

Kosova i detyrohet pjesërisht pavarësisë së saj ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së kundër forcave serbe në vitin 1999.

“Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane – çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj”, tha Osmani.

Ndryshe, Venezuela është një nga vendet që nuk e ka njohur Kosovën, shkruan Balkan Insight.

Turqia nën drejtimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka mbajtur marrëdhënie të mira si me Trumpin ashtu edhe me udhëheqësin venezuelian Maduro, bëri thirrje për qetësi.

“Turqia i kushton rëndësi stabilitetit të Venezuelës dhe paqes e mirëqenies së popullit të Venezuelës”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Ministria u bëri thirrje të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje në mënyrë që të parandalojnë që situata aktuale të çojë në pasoja negative për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.

Deklarata e saj nuk përmendi kapjen e Maduros nga forcat amerikane.

Shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor deri më tani kanë heshtur, pa reagime të menjëhershme nga udhëheqësit ndaj sulmit të SHBA-së ndaj shtetit të Amerikës Latine.

Megjithatë, ambasadori kroat Ranko Viloviq tha se po monitoron situatën dhe është në kontakt me përfaqësuesit e komunitetit kroat në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, i cili sipas tij numëron rreth 5,000 njerëz.

“Jemi në kontakt me përfaqësuesit dhe deri më tani, sipas informacionit tonë, askush nuk është lënduar. Sulmet që ndodhën kishin për qëllim infrastrukturën ushtarake, kryesisht bazat ajrore dhe bazat detare. Civilët janë të sigurt”, tha Viloviq.

Ministria e Jashtme Greke tha gjithashtu se po “monitoronte nga afër situatën në Venezuelë”.

Në një deklaratë, ajo tha se ambasada greke në Karakas “është në kontakt me komunitetin grek në vend dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë”.

Komuniteti grek në Venezuelë numëron deri në 3,000 persona.

Më vonë të shtunën, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, shprehu mbështetjen e tij për SHBA-në.

“Nicolas Maduro kryesoi një diktaturë brutale dhe represive që solli vuajtje të paimagjinueshme mbi popullin venezuelian. Fundi i regjimit të tij ofron shpresë të re për vendin”, tha Mitsotakis.

Megjithatë, pati disa shenja të kundërshtimit ndaj operacionit ushtarak të Trumpit.

Partia Komuniste Greke, e cila ka 21 vende në parlament, thirri një tubim të shtunën në mbrëmje për të shprehur solidaritet me popullin e Venezuelës dhe luftën kundër asaj që e quajti "ndërhyrja imperialiste e SHBA-së".

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Bullgarisë hapi një linjë telefonike për bullgarët që jetojnë në Venezuelë dhe tha se është “në kontakt me të gjithë përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë të Bullgarisë” që ndodhen në vend. /Telegrafi/