LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari në burgun mental, si ushtari japonez Onoda

Shqiptari në burgun mental, si ushtari japonez Onoda

Më 2 shtator 1945, kapitullon shteti i fundit i Boshtit Qendror – Japonia. Lufta e Dytë Botërore, atë ditë mbaroi. Por, përfundimi i shpejtë i rezistencës së Japonisë – si rezultat i shpërthimit të dy bombave atomike, një në Hiroshimë e një në Nagasaki – ushtarët japonezë i gjeti të shpërndarë në vende të ndryshme të Azisë Juglindore dhe në Ishujt e Paqësorit. Meqë u ndërprenë komunikimet, disa nga ta nuk ishin të vetëdijshëm se lufta ka mbaruar. Një pjesë e tyre madje nuk u besonin lajmeve. Prandaj, luftonin sa e si mundnin, në pritje të ringjalljes së fuqisë perandorake të Japonisë.

Numri i këtyre ushtarëve nuk ishte i madh. Por, si raste të çuditshme u bënë të famshëm, madje pjesë e miteve të reja. Kështu, deri në vitet 1980-’90 ka ndodhur që njerëzit t’i trillojnë aksionet e tyre, për të tërhequr turistë nga bota apo për të marrë haraç nga Japonia – siç besohet se ishte lajmi i vitit 2005, për dy ushtarë në të tetëdhjetat, që kinse u gjetën në Mindanao të Filipineve.


***

Këtë fat e kishte Hiroo Onoda, jeta e të cilit është pasqyruar në filmin “Onoda: 10 mijë netët në xhungël”. Japonezi që nuk kishte guxim të bëhet kamikaz, rekrutohet nga njësitet speciale. Me detyrë dërgohet në ishullin Lubang të Filipineve, ku i gjen ushtarët japonezë – të dërrmuar e pa moral. Si rishtar në ushtri, dëshiron t’i vë të gjithë nën kontroll; të japë detyrat të cilat ushtarët e lodhur e të pashpresë nuk mundnin t’i përballojnë as t’i realizojnë.

Mirëpo, lufta e tij ishte e kotë. Amerikanët shpejtë i shkatërrojnë bazat japoneze. Onoda mbijeton me tre ushtarë tjerë. Teksa kujton urdhrin e eprorit se nuk u lejohet vetëvrasja sepse, kurdoherë, pas tre apo pesë vjetëve do të kthehen me ushtri, ata vendosin të strehohen në malet e shumta të ishullit me 125 kilometra katrorë. Ndër vite vriten dy ushtarë që i kishte nën komandë, ndërsa njëri dorëzohet. Onoda, si ushtar zhelan, “rezistoi” më së gjati – për 29 vjet, deri më 1974 kur i vjen urdhri i eprorit se është i shkarkuar nga detyra. Këto vite i ka kaluar duke vrarë afro 30 bujq filipinas, duke ua vjedhur ushqimin dhe duke ua djegur të korrurat (kjo edhe si sinjal për ushtrinë japoneze, se rezistenca po vazhdon!).

***

Dikush mund të thotë se Onoda është simbol i besnikërisë së japonezëve ndaj Perandorit. Apo, se sa luftarak është shpirti japonez. Por, në fakt, ajo që e bën të veçantë jetën e tij është burgu mental që ia krijoi vetes.

Onoda thjesht nuk e pranonte ndryshimin. Ushtari që iku i kishte njoftuar autoritetet japoneze për dy të mbetur në Lubang. Babai dhe vëllai i Onodas shkojnë atje, e thërrasin me megafon, ia bëjnë me dije se lufta ka mbaruar. Por, Onoda nuk e pranonte akulturimin. Sipas tij, babai kurrë nuk do të vishte allafrënga. Ndërsa, revistat që ia kanë lënë – për ta kuptuar të vërtetën – për të janë mashtrime; revista të ribotuara me lajme të rreme të montuara! Kështu krijon skena të aleancave të reja gjeopolitike antiamerikane, i bindur se rezistenca japoneze po vazhdon. Ndërsa, nga poezia që ia reciton babai, zbërthen “kode sekrete” për zbarkimin japonez.

I paaftë edhe për jetën në një Japoni më ndryshe e më moderne, Onoda më 1975 largohet për në Brazil, për t’u marrë me blegtori. Ndërsa, kurrë nuk kërkoi falje për të zezat që ua bëri civilëve të pafajshëm, në luftën që e vazhdonte falë burgut të tij mental.

***

Rrëfimi për jetën e Onodas vlen të shoqërohet me një shembull nga e kaluara e shqiptarëve. Fisniku dhe ushtaraku anglez që i mbronte interesat e shqiptarëve në fillim të shekullit XX, Aubrey Herbert, në vitin 1912 mbahet si i dyshuar në Sjenicë, nga një grup i shqiptarëve të armatosur për të cilët Herberti ishte austriak që synonte t’ua merrte tokat. Atij i afrohet njëri me emrin Ahmet që thotë se, këtyre, pra të tjerëve, u mungonte civilizimi; se ai ka qenë për pesë vjet në burg në Izmir dhe se e di mirë çfarë flet kur e përmend civilizimin. Në një bisedë me mikun tim Daut Dauti, ky mund të jetë ndoshta versioni i mundshëm i “civilizimit” të Ahmetit: prej Sjenice e çojnë me kuaj në Mitrovicë, pastaj me tren për në Ferizaj, në Shkup e në Selanik. Në Selanik e sheh tramvajin e pastaj e përjeton udhëtimin me vapor. Në fund, me ndonjë makinë e çojnë për në burgun e Izmirit ku ka mundur të takojë jo vetëm kriminelë, por edhe njerëz të zgjuar të popujve e kulturave të ndryshme.

Sidoqoftë, Ahmeti ka qenë në burg me trup, por jo me mendje. Fatkeqësisht, ky burg mental është problemi më i madh i shqiptarëve edhe sot.

***

Onoda i besonte fjalës së eprorit, se japonezët do të kthehen. Kapej pas autoritetit të tij. Por, pas luftës, eprori bënte jetë të qetë si librar. Ishte gjallë. Në mesin e njerëzve të vet, në hap me ndryshimin e me kohën – me Japoninë moderne e paqësore.

Për Onodan nuk vlenin as lajmet që i dëgjonte në transistorët revolucionarë “Sony”, që vëllai e babai ia lanë. Sepse, sado i lirë e i fuqishëm mund të ndihej me armët e municionet që kishte – duke mos rënë në duar të “armikut” – ai ishte rob i mendjes së vet. Ndaj, bënte krime (të cilat në film nuk pasqyrohen ashtu siç është e vërteta) i bindur se do të kthehet si hero në shtëpi – në një Japoni virtuale të cilën e kishte projektuar në mendjen e vet.

E, ky projeksion i së vërtetës është ajo që i mban peng edhe shqiptarët. Në shekullin XXI. Në epokën e Revolucionit të Katërt Industrial. Prapë në një burg mental.

Pse?

Përgjigja vështirë është të jepet, por është mungesa e komunikimit real, si te Onoda; hezitimi për ta ndryshuar veten, prapë si Onoda; projektimi i armiqve dhe besimi i verbër ndaj autoritetit … si Onoda pra. Ndaj, është mirë të citohet Faik Konica i cili më 1898 ka thënë se fatkeqësia e shqiptarëve është se kapen pas individëve; se duhet të shërohen nga dashuria për individët; se duhet të mësojnë që ta duan Shqipërinë e jo për t’i pëlqyer këtij ose atij shqiptari – qoftë ai Pirroja.

Sepse, edhe Pirro – që në momentet kyçe humbi shumë shanse, për shkak të vendimeve të shpejta e irracionale – nuk është modeli i duhur që duhet të ndiqet. Jo vetëm se në fund e ka humbur luftën me romakët, por sepse edhe një betejë tjetër si e tij dhe do të kthehemi të vetëm … si Onoda … te shokët e Ahmetit!

Në trend

Më shumë
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon

Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon "një strukturë të re të pronësisë" të Real Madridit

La Liga
Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Kroacia
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Superliga
Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Magazina
Kalo në kategori