LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari arratiset pothuajse nudo nga një spital italian

Shqiptari arratiset pothuajse nudo nga një spital italian

Mariglen Cybi (23), i njohur me pseudonimin Davide De Gaetano, është arratisur nga spitali i Chietit në Itali, pasi një ditë më parë ishte arrestuar nga policia italiane për vjedhje dhe rezistencë të dhunshme ndaj forcave të rendit.

Ai u arrestua pas një ndjekje prej disa orësh nga policia italiane ku së bashku me dy bashkëpunëtorë kishte tentuar të grabiste një automjet.


23-vjeçari shqiptar u arrestua pasi u përplas me bordin e rrugës me makinën e tipit Audi6 me të cilën udhëtonte dhe që rezulton e vjedhur në qytetin Porto d’Ascoli.

Pas përplasjes tentoi t‘i shpëtojë forcave të rendit duke shtënë disa herë me armë zjarri.

Policia italiane mundi të vë nën pranga 23 vjeçarin shqiptar që për shkak të plagëve të marra gjatë përplasjes u shtrua për kurim në repartin e ortopedisë në spitalin e Chietit e ku mbikëqyrej me policë.

Rreth orës 3 të natës së kaluar ai i kish kërkuar të shkonte në banjë duke e detyruar policin roje t’ i hiqte prangat.

Cybi kishte aktivizuar menjëherë planin e tij të arratisjes e pas përleshjes me policët roje kishte mundur të arratisej nga spitali i Chietit pothuajse nudo.