LAJMI I FUNDIT:

Johann Georg von Hahn, Nezim Berati dhe këngët erotike për dylberët

Johann Georg von Hahn, Nezim Berati dhe këngët erotike për dylberët

Genciana Abazi-Egro

Johann Georg von Hahn, në librin e tij “Albanesische Studien” (1853), në pjesën mbi disa sprova të shqipes, boton tetë poezi nga poeti Nezim Berati (vd. 1760), të cilat i përkthen në gjermanisht dhe i bashkëngjit një biografi të shkurtër prezantuese të poetit. Për të Nezim Berati është “poet emërmadh” tek shqiptarët dhe me shumë gjasë kjo ka qenë arsyeja kryesore që e ka shtyrë Hahnin të përfshijë këtë poet në studimet e tij.

Botimi i poezive të Nezim Beratit shënonte një ngjarje si për poetin ashtu edhe për vetë letërsinë shqipe. Ky ishte botimi i parë i shtypur i krijimtarisë së poetit, e cila deri në këtë kohë qarkullonte me anë të dorëshkrimeve, por njëkohësisht dhe prezantimi i parë që ky poet shqiptar kishte me lexuesin perëndimor. Nga ana tjetër, poezitë e botuara nga Hahni do të citohen dhe ribotohen në punimet mbi letërsinë shqipe dhe shqiptarët, që do të realizohen në vijim nga autorët perëndimorë dhe arbëreshët e Italisë, duke sjellë kështu dhe një diferencim të Nezim Beratit nga poetët e tjerë të shek. XVIII, të cilët do të futeshin shumë më vonë në literaturën mbi letërsinë shqipe.

Në këtë mënyrë, krijimtaria e Nezim Beratit me botimin e Hahnit filloi jetën sipas formës moderne të qarkullimit të librit me anë të shtypshkrimit. Kjo do të thoshte dhe një marrëdhënie e re me lexuesin, e ndryshme nga komunikimi që kishte patur kur vepra e tij qarkullonte me anë të dorëshkrimeve. Kështu që botimi dhe prezantimi i poetit nga Hahni është dhe iniciues i një komunikimi cilësisht të ri që Nezim Berati po vendoste me lexuesin dhe kritikën në kohërat moderne.

Problematika e parë që paraqet botimi i Hahnit lidhet drejtpërdrejt me autencitetin e vargjeve të botuara nën emrin e Nezimit. Nga tetë këngët e botuara, vetëm njëra prej tyre (kënga nr. 8) është pjesërisht e Nezim Beratit. Kjo këngë ndodhet në Divanin shqip të poetit dhe është një prej poezive të gjata (244 vargje) për të cilat poeti në titull ka dhënë sqarimin “shoqërohet me melodi,” pa dhënë specifikime të tjera. Hahni ka botuar një variant të shkurtuar të saj (48 vargje) i cili ndërthuret edhe me një këngë të një autori që deri më sot nuk kam arritur ta identifikoj, të cilat diferencohen qartë nga pjesa tjetër e tekstit për sa i përket thjeshtësisë së mendimit, asociimeve të thjeshta, si dhe përdorimit të një gjuhe të varfër poetike.

Sa i përket shtatë këngëve të tjera të botuara nga Hahni nën emrin e Nezimit, ato janë pjesë e fondit të këngëve qytetare të Elbasanit. Këto këngë janë mbledhur edhe nga Lef Nosi i cili i ka regjistruar në një dorëshkrim (sot në Arkivin e Shtetit) me 240 “kang shum të vietëra të Elbasanit” sikurse i cilëson ai vetë.

Përveç kësaj, për këngët 1, 2 dhe 4, nisur nga teksti i botuar, mund të përcaktohet edhe autorësia e tyre. Në këto këngë përmendet emri Sulejman si autor i vuajtjeve shpirtërore për të cilat këndohet. Në traditën e letërsisë së divanit, poetit i kërkohet që të vetidentifikohet në tekstin e poezisë. Kjo do të thotë që të paktën në një varg ai duhet të përmend emrin (apo pseudonimin letrar) duke iu drejtuar vetes në mënyra të ndryshme.

Hahnit i ka tërhequr vëmendjen ky fakt, por duke mos njohur traditën poetike të lindjes, emrin Sulejman e lidh me një emër personazhi që poeti sipas tij “e fut në poezi për të biseduar/ përballur me të”. Nisur nga ky detaj, mund të themi që këto këngë kanë si autor poetin e quajtur Sulejman që me shumë gjasë duhet të jetë Sulejman Naibi (vd. 1771). Këtë e përforcon edhe një detaj që e gjejmë në variantin e këngës të mbledhur nga Lef Nosi. Poeti në këngën 4 përshëndet dhe uron Ismail Pashë Vlorën/Velabishti (vd. 1761) për titullin e vezirit që i ka akorduar sulltani. Ky fakt dëshmon se autori i këngës ka qenë bashkëkohës i këtij sundimtari, periudhë e cila përkon dhe me jetën e Sulejman Naibit. Megjithatë, për shkak se nga ky poet kanë mbijetuar shumë pak poezi, është e vështirë që të jepet një mendim përfundimtar lidhur me këtë.

Hahni nuk jep të dhëna konkrete për mënyrën se si i ka vjelë apo shtënë në dorë këto materiale. Megjithatë, dy informacione që ai vetë ka dhënë në libër, ndriçojnë një pjesë të këtij procesi. Me një shënim në fillim të këngëve të botuara nën emrin e Nezimit, ai informon lexuesit se “me këto këngë zakonisht fillojnë të gjitha festimet.”

Ndërkohë, në hyrjen prezantuese mbi poetin njofton për ekzistencën e një dorëshkrimi me krijimtarinë e plotë të Nezimit, në zotërim të një beu në Elbasan, të cilin nuk arriti ta shohë për arsye kohe. Kështu që Hahn poezitë nuk i ka marrë nga dorëshkrimet me anë të së cilave qarkullonte vepra e Nezim Beratit, por ato duhet të jenë regjistrime të këngëve që shqiptarët këndonin në gëzime të ndryshme, veçanërisht në zonën e Elbasanit. Kjo shpjegon dhe faktin se përse Hahn këto këngë i ka klasifikuar tek përdorimet gjuhësore të gegërishtes dhe jo të toskërishtes. Poezitë e Nezim Beratit në të vërtetë shfaqin qartë karakteristika të toskërishtes arkaike dhe sipas kritereve të ndjekura nga Hahn në botimin e teksteve shqipe duhet të ishin klasifikuar mes sprovave të toskërishtes.

Problematika e dytë e botimit të Hahnit lidhet me tematikën e poezive të botuara. Të tetë këngët e botuara nga Hahni nën emrin e Nezimit, janë vetëm poezi erotike që i këndojnë dashurisë për djem. Pa u ndalur në prirjet seksuale të Hahnit që janë vënë në diskutim nga studiuesit e jetës së tij (Gerhard Grimm dhe Michael Schmid-Neake), tema erotike që trajtojnë këto këngë duket se ka qenë dhe një shtysë për botimin e tyre. “Këtë gjë [dashurinë për djem] e zbulova kur po studioja vjershat e Nezimit, prej të cilave kam botuar një pjesë” informon lexuesit Hahni. Kjo e ka shtyrë që ai ta hulumtojë më tej këtë dukuri tek shqiptarët dhe konkluzionet t’i japë në një syth më vete me titullin “Dashuria për djemtë (në Shqipërinë e Mesme dhe në Shqipërinë e Veriut)”, të përfshirë në pjesën “Përshkrimi i zakoneve [tek shqiptarët]”. Informacionin fillestar për këtë fenomen e ka marrë nga “mësuesi i tij”, të cilin nuk e përmend me emër, por sipas të gjitha gjasave ka qenë Konstandin Kristoforidhi.

Kristoforidhi dhe Apostol Meksi kanë qenë dy mësuesit që i kanë mësuar shqipen Hahnit dhe e kanë ndihmuar gjatë udhëtimit të tij në territoret shqiptare. Studiuesi francez, Auguste Dozon, pohon se të gjithë materialet që Hahni ka botuar në sprovat e shqipes për gegërishten, ia ka ofruar Konstandin Kristoforidhi. Ndërsa, Dhimitër Shuteriqi e detajon më tej duke bërë me dije se edhe këngët e botuara nën emrin e Nezimit i ka mbledhur Konstandin Kristoforidhi “nga goja e popullit në Elbasan.”

Hahni, mbështetur në informacionin e grumbulluar, jep profilin e një “dylberi”, moshën dhe pamjen e tij fizike dhe përshkruan të gjithë etapat nëpër të cilat kalon një marrëdhënie dashurie mes “dylberësh” që nga shikimi i parë dhe deri tek vendosja e një lidhjeje të fortë shpirtërore e cila përjashton kontaktin fizik. Si përfundim, ai mendon se tek shqiptarët kemi “një dashuri dorike për djemtë”, ashtu sikurse e përshkruajnë shkrimtarët e Greqisë së lashtë. Madje, të gjithë etapat që ndjek kjo lidhje dashurore i ilustron me shembuj të marrë nga dashuria dorike tek grekët e lashtë (… po kështu skuqet Hipotali kur Sokrati e hedh fjalën tek dashuria e tij për Lysin; Sokrati e tregon vetë përshtypjen që i ka bërë bukuria e Harmidesit; kështu Agesilau kundërshton kur e ledhaton Megabati të cilin ai e dashuron; një mendim që e gjejmë edhe tek Ksenofoni.).

Nga ana tjetër, edhe versioni që jep Hahni për jetën e Nezimit vendos një lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e këngëve erotike dhe dashurinë për djemtë. Sipas Hahnit, Nezimi është një poet që nuk u martua kurrë; i lidhur me një dashuri idilike me të nipin, tronditet nga vdekja e tij e parakohshme dhe më pas gjen ngushëllim tek një djalosh tjetër i ngjashëm me të në Berat; akuzohet nga bashkëkohësit për blasfemi për shkak se krahason vetullat e djaloshit me mihrabin në xhami, por që i shpëton dënimit falë mençurisë së tij. Madje kjo ngjarje në mënyrë të tërthortë mbështetet edhe nga kënga 8 botuar nga Hahni ku zë vend vargu “Mihrab i Qabesë vetullatë e tua janë.”

Dokumentacioni i kohës dhe Divani shqip hedhin poshtë tërësisht këtë panoramë dhe informacion që ofron Hahni lidhur me poetin Nezim Berati. Dokumentet e gjetura në Arkivin e Shtetit (Sixhilet e Beratit) tregojnë se Nezimi ka qenë martuar dy herë. Me gruan e parë, Ismihanin nga Peqini, është martuar më 1748 dhe tre vjet më vonë ka patur një martesë të dytë me Hatixhenë, vajzë e një familjeje të pasur nga Bobrati. Madje, në martesën e dytë ka patur si dëshmitar dhe Ataullah Efendinë (për një kohë myfti i Beratit) të cilit i ka kushtuar poezi në Divanin shqip. Fakt që dëshmon se kemi të bëjmë me një marrëdhënie komplekse që nuk mund të etikohet thjesht poezi dashurie për djem (këngë dylberësh).

Nezim Berati ka qenë një poet profesionist, në mecenatin e familjes dinastike Vlora që në atë kohë ka drejtuar sanxhakun e Vlorës me qendër Beratin. Krahas lavdeve për këta sundimtarë, në poezitë e tij ai ka paraqitur një këndvështrim të tijin mbi botën njerëzore dhe marrëdhëniet që ndërton njeriu me perëndinë, shpirtin dhe artin. Ndërsa poezitë ku subjekt i adhurimit është një mashkull përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të krijimtarisë së tij. Pa u ndalur në mënyrën se si e konceptonte Nezim Berati dashurinë dhe cili është pozicioni i meshkujve në të, dua të them se në këto poezi dashurie (homoerotike) kemi të bëjmë me një ndjenjë dhe marrëdhënie të veçantë dashurie dhe jo me një identitet homoseksual sipas kuptimit modern të tij. Lidhjet homoerotike kanë qenë një fenomen social dhe kulturor i kësaj kohe dhe trajtimi i tyre në poezi ka qenë një tendencë, madje ato ndikonin dhe në statusin publik dhe letrar të poetit.

Problematika e tretë e këtij botimi ka të bëjë me dhënien e Nezim Beratit si një rast i izoluar dhe jo pjesë e një realiteti letrar tek shqiptarët. Nezim Berati është poeti i vetëm shqiptar që Hahni përmend me emër dhe i boton poezi. Në të vërtetë në veprën e tij “Studime shqiptare” ai nuk ka dhënë konsiderata lidhur me lëvrimin e shqipes dhe zhvillimin e letërsisë së kultivuar tek shqiptarët. Kështu që është e vështirë të hamendësohet lidhur me pikëpamjet e tij për këtë çështje. Por, fakti që nuk përmend Sulejman Naibin, i mirënjohur në Elbasan (prej nga ishte “mësuesi” i tij Konstandin Kristoforidhi) dhe as Hasan Zyko Kamberin për të cilin nga burimet e kohës mësojmë se ka qenë shumë i lexuar veçanërisht në jug (rajon të cilin Hahni e njihte shumë mirë), më shtyn të mendoj se ai ka patur rezervat e veta në këtë drejtim.

Këto problematika që hasen në botimin e këngëve si të Nezim Beratit, në të vërtetë mishërojnë shqetësimet që Hahni vetë kishte lidhur me veprën e tij dhe mënyrën se si do të lexohej ajo. Madje në hyrje ai shpreh mirëkuptimin për korrigjimet e mundshme, pasi “askush më mirë se ai [Hahni] nuk e di se sa vështirë është të gjendet e vërteta në Shqipëri, ndaj dhe ndreqjet nuk do ishin për askënd më të dëshiruara se sa për të.”

Mirëpo, në rastin e Nezim Beratit, megjithë publicitetin që iu bë emrit të tij, botimi me probleme i Hahnit ndikoi në mënyrën se si do të vlerësohej dhe lexohej ai për gjatë një qind vjetëve në vijim. Kjo edhe sepse poezitë e Nezimit të marra nga dorëshkrimet autentike do të fillonin të botoheshin më 1938 dhe deri në këtë kohë pikëpamjet mbi këtë poet u mbështetën ekskluzivisht në atë çfarë kishte botuar dhe thënë Hahni.

Së pari, Nezimi dhe këngët e botuara si të tija do të bëhet objekt diskutimi në botimet mbi shqiptarët dhe gjuhën shqipe, shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX.

Studiuesi arbëresh, Demetrio Camarda (1864, 1866), e çon më tej idenë e dashurisë dorike të shtjelluar nga Hahni, duke vendosur një paralelizëm mes krijimtarisë së Nezimit dhe krijimtarisë së Anakreontit tek grekët e lashtë dhe nuk ngurron të pohojë: “Në rast se poezitë e tij nuk do të ishin gjymtuar me fjalë të huaja, arabe, turke e perse, Nezimi do të mund të konsiderohej si Anakreonti i shqiptarëve”. Camarda do të ribotojë këngët 1 dhe 3 dhe kërkon një njohje më të mirë të krijimtarisë poetike të Nezimit qoftë për vlerën e tij poetike, ashtu edhe për pikturimin besnik të zakoneve lokale.

Një qëndrim të ndryshëm mban studiuesi francez Auguste Dozon, i cili kishte shërbyer dhe si konsull i Francës në disa vende të Ballkanit. Në “Manualin e tij mbi gjuhën shqipe” (1878) do të debatojë me Hahnin lidhur me famën e Nezimit, dhe dashurinë për djemtë tek shqiptarët. Gjykimin e tij e mbështet vetëm në këngët e botuara nga Hahn dhe nuk përmend njohjen dhe famën që gëzonte Nezim Berati mes shqiptarëve. Mbështetur në këto këngë, ai shpreh mendimin se Nezim Berati është një poet i patalentuar. Këngët i quan “përçartjet e Nezimit”; imitime të “Divanit të Sadiut, apo të poetëve të tjerë mistikë, të huaj në malet e ftohta të Shqipërisë”; ndjen përçmim për përmbajtjen e tyre dhe i bën me dije lexuesit se e ka patur të vështirë ta çojë deri në fund leximin me gjithë dashurinë që ka për poezinë. Madje, duke u nisur nga këto këngë, ai gjykon edhe aftësitë krijuese të shqiptarëve. Dozon mendon se shqiptarëve të Shqipërisë u mungon gjeni poetik. Këtë “gjykim të ashpër” sikurse e quan edhe vetë ai, e mbështet në opinionet që Kristoforidhi i ka shprehur gjatë bisedave që ka zhvilluar me të. Në të vërtetë, Dozon gjatë gjithë parashtresës së tij u referohet shumë herë bisedave që ka zhvilluar me Kristoforidhin dhe shumë ide të shtjelluara në vepër, që kërkojnë një njohje më të madhe sesa ofrojnë tekstet e botuara nga ai vetë, i ka vendosur në gojën e Kristoforidhit.

Debatit që Hahni hapi lidhur me dashurinë për djemtë tek shqiptarët, Dozon i jep një dimension tjetër. Ai kërkon që gjatë shpjegimit të këtij fenomeni të merret parasysh origjina e fjalëve që e emërtojnë atë. Duke qenë se ashik, dylber dhe pusht janë fjalë të ardhura nga Lindja, e quan të pamundur shpjegimin e këtij fenomeni me dashurinë dorike të grekëve të lashtë. Madje, përpjekjen për ta shpjeguar këtë “miqësi të ekzaltuar” si dashuri dorike e quan një tentativë për të zbutur dhe purifikuar zakonet e myslimanëve. Edhe Dozon boton krijime me këtë tematikë. Janë strofa katërvargëshe që në vepër janë quajtur bejte dhe janë krijuar nga një i ri nga Përmeti që nuk e ka identifikuar me emër.

Ndërsa, studiuesi gjerman Gustav Meyer zhvillon pikëpamjen e Hahnit lidhur me personalitetin e Nezim Beratit në letërsinë shqipe. Për të Nezimi është “poeti më i rëndësishëm artistik, i lindur mirëfilli në Shqipëri”, por është i mendimit se “nuk mund të flitet për një letërsi kombëtare”. Është shumë e vështirë që kjo qartësi me të cilën Meyer vlerëson realitetin letrar, të arrihet duke u mbështetur vetëm në tekstet e këngëve të botuara nga Hahni. Me shumë gjasë këtu ka ndikuar njohja që Meyer kishte përftuar nga kontaktet me qarqet intelektuale shqiptare të kohës.

(Titulli origjinali i kësaj analize është: Johann Georg von Hahn: Fillimet e një paradigme studimesh letrare)