LAJMI I FUNDIT:

Shqipërisë po i ikin intelektualët, OECD: E katërta në botë për rritjen e emigracionit të njerëzve të aftë

Shqipërisë po i ikin intelektualët, OECD: E katërta në botë për rritjen e emigracionit të njerëzve të aftë
Foto: Ilustrim

Vala e re e emigracionit po përfshin jo vetëm familjet por edhe shtresën e aftë të popullsisë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit 2020, konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.


Për periudhën në fjalë, rritja e normës së emigrimit së personave me aftësi të larta është 14.6 pikë përqindje, pas Liberisë me 27.9 pikë përqindje dhe Butanit me 15.4 pikë përqindje, në të njëjtin nivel me Moldavinë. Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8 pikë përqindje.

Në përgjithësi, gjithë Ballkanit i kanë ikur intelektualët. Për Bosnjën e Hercegovinën rritja është 11.5 pikë përqindje, për Maqedoninë e Veriut me 10 pikë përqindje.

Shqipëria renditet edhe ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1 për qind, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, lakorja e te cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante.

Emigracioni është një fenomen që prek vendet më të ardhura të ulta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por te arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë.

Sipas raportit, në Evropë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të emigrantëve. Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29 për qind, Bosnja dhe Hercegovina prej 20 për qind dhe Maqedonia Veriore prej 18 për qind.

Në përgjithësi, nivelet e emigracionit të personave me arsim të lartë janë pothuajse gjithmonë më të larta se nivelet totale të emigracionit. Kjo përzgjedhje pozitive e emigrantëve është e lidhur me disa faktorë: jo vetëm individët me arsim të lartë zakonisht kanë më shumë mundësi financiare për t’u angazhuar në migracionin ndër-shtetëror sesa kolegët me kualifikim më të ulët, por gjithashtu shumë vende të OECD kanë miratuar politika më të favorshme migrimi për personat me aftësi të larta.

Shkalla e përgjithshme e emigrimit të individëve me arsim të lartë drejt vendeve me mirëqene të lartë OECD vendet është 16 për qind në peiudhën 2015-2016. Tek të arsimuarit me arsim te mesëm është 5 për qind.

Megjithatë, ka ndryshime të mëdha në të gjithë vendet e origjinës. Për shembull, vendet të tilla si Mozambiku dhe Somalia kanë shkallë të lartë të emigracionit me afërsisht 30 për qind, dhe këto dyfishohen në mbi 66 për qind në rastin e Trinidad dhe Tobago dhe Guajana.

Ndërsa sa i përket numrit të lartë të emigrantëve të arsimuar drejt zonës së OECD, India kryeson me mbi 3 milion emigrantë me nivel të lartë të arsimit, të ndjekur nga Kina me 2 milionë dhe Filipine me 1.8 milion.

Vetë vendet e OECD-së kanë një numër të madh të personave të arsimuar që punojnë në vende të tjera. Afërsisht 1.4 milion gjermanë dhe 1.7 milion britanikë me diploma universitare banojnë në vendet e tjera.

Në mesin e të arsimuarve me nivel të ulët, shkalla e emigracionit është 5.4 për qind për burrat dhe 5.8 për qind për gratë.

Ndër të arsimuarit e lartë, shkalla i emigrimit të burrave dhe grave është pothuajse identik në 8.6 për qind.

Një studim i mëparshëm i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e e vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.

Numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD u rrit me 430 për qind në vitin 2016 në raport me vitet 2000. /Monitor/