LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria, fontanë e civilizimit

Shqipëria, fontanë e civilizimit

Nga: Daut Dauti

Profesoresha Bettany Hughes, është e njohur në botë për programet e saja televizive – dokumentarë për historinë. Në këtë vazhdë, ditëve të fundit Bettany i ka shfaqur në BBC edhe dy episode të ndara në katër pjesë, për historinë e Shqipërisë që i ka titulluar: Mrekullitë e Shqipërisë. Në episodin e parë trajtohet Shqipëria në kohën e sundimit romak dhe çështja e hakmarrjes, kurse në të dytin sundimi otoman dhe ai komunist. Programet e saja vlerësohen si të shkëlqyeshme dhe shikohen me interesim të madh në tërë botën.


Në krahasim me programet tjera të saja, siç janë ato për Perandorinë Romake, Bizantine, Otomane, sundimin arab në Spanjë, Greqinë etj., ky për Shqipërinë është më i shkurtër. Por, kryesisht është program i mirë dhe mjaft promovues. Roli i Shqipërisë në histori më shumë se zakonisht është injoruar. Është hera e parë që në media vizuele elitare botërore, siç është BBC, Bettany e paraqet Shqipërinë dhe shqiptarët si shumë të rëndësishëm në historinë e Ballkanit dhe Evropës.

Ja se si e përfundon Bettany episodin e fundit:

‘Kudo që kam udhëtuar në Shqipëri, kam dëgjuar një frazë të bukur, që nuk e kam dëgjuar më parë e që thotë: Të lumshin këmbët. Pra, këmbët që të sollën këtu. Në mënyrë themelore kjo do të thotë – faleminderit që keni ardhur. Kjo është diçka shqiptare, në mënyrë konstitucionale. Ky është territor i udhëtimeve, shkëmbimeve dhe influencave të jashtme. Fakti që komunizmi e kishte shndërruar këtë vend në kafaz d.m.th. se trashëgimia komuniste është fascinuese dhe shprehëse, por në të vërtetë kjo nuk është mrekulli apo thesar. Është diçka që e bartë tragjedinë në vete. […] Në tragjedinë e komunizmit ka mbijetuar ndjenja e historisë dhe mikpritja deri në këtë kohë. Është ndjenjë e drejtë të përshkruhet Shqipëria si Perlë e Ballkanit. Një vend ku kërkuesit  e thesareve kanë hulumtuar me shekuj, në vete kjo është e mrekullueshme. Ky vend është bërë vorbë e civilizimeve, por duket që kurrë nuk e ka humbur ndjenjën e saj të vlerës dhe identitetit. [Shqipëria] është vend i çmueshëm dhe fontanë e civilizimit’.

Pra, kjo është Shqipëria e përshkruar nga një historiane e njohur, programet e së cilës janë shkollë për historianët, sidomos për ata që përgatisin emisione arsimore për televizion. Pyetja e vetme që duhet të bëhet në këtë rast: sa është numri i njerëzve që i kanë shikuar e që do t’i shikojnë këto episode. Me fjalë tjera, a do të ndikohet në rritjen e interesimit për historinë e Shqipërisë?