LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia

Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia

Tirana zyrtare ka reaguar sot pas lajmeve për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia.

Ministria e Jashtme ka thënë në një deklaratë se dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara.


Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson se çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.

“Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara. Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër që rezulton nga kërcënimi ose përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e ministrisë në Twiter.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se vendimi për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës është marrë nga banorët e zonave, të cilët morën pjesë në referendum.

“Rezultatet dihen, dihen mirë. Jam i sigurt se Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, u shpreh sot Putin, teksa u duartrokit nga anëtarë të qeverisë së tij.

Sipas zyrtarëve rusë, katër rajonet, të cilat përfaqësojnë rreth 15 për qind të Ukrainës, votuan me shumicë për t’u bashkuar me Rusinë.

Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Ukraina thotë se do të vazhdojë të luftojë për të çliruar rajonet e Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. /Telegrafi/

#Albania condemns the sham referendums organized by #Russia in #Ukraine & will not recognize their predecided results.Any annexation of a state’s territory by another state resulting from the threat or use of force is a violation of the principles of the #UN Charter & int’l law.

— Albanian MEFA ?? (@AlbanianDiplo) September 30, 2022