LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria më 1915: Mbretëria e operës komike

Shqipëria më 1915: Mbretëria e operës komike
Wilhelm zu Wied

Shkrimi i mëposhtëm – me titullin Mbretëria e operës komike – është botuar në revistën The Literary Digest, ndërsa flet për kaosin në Shqipëri pas largimit të Princ VIdit. Shkrimi është përmbledhje e artikujve të botuar në Evropë.

“The Literary Digest” më 1914: Ndërhyrja në Shqipëri
Lexo po ashtu “The Literary Digest” më 1914: Ndërhyrja në Shqipëri

Nga: The Literary Digest (analizë e publikuar më 6 mars 1915)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com


Nëpërmjet shtypit italian, një histori e trishtuar e gjen rrugën drejt nesh. Duket sikur e gjithë bota është çorientuar kur paramendoi se ka abdikuar Princi Vilhelm Vid [Wilhem zu Wied], dikur mbret i Shqipërisë. Asgjë nuk është e vërtetë dhe ne jemi të lumtur të njoftojmë, kjo sipas autoritetit të Pjetër Karriqit – të sekretarit të Marshalitetit të Oborrit – se Madhëria e tij akoma mbretëron në Shqipëri. Duke shkruar për L’Italie, për gazetën franceze që publikohet në Romë, sekretari i Marshalitetit ka thënë:

Shumë gazeta italiane, me vrazhdësi kanë komentuar veprimin e Mbretit të Shqipërisë për t’iu bashkuar Ushtrisë gjermane, dhe këtë e kanë konsideruar si heqje dorë nga froni.

Ekzistenca e Shqipërisë, që në fakt është krijesë e aleancës trepalëshe, do të varet nga fati i ushtrive austro-hungareze dhe gjermane. Jo vetëm kreu i shtetit, por çdo shtetas shqiptar, pa dallim feje, duhet të ndihet i detyruar që të luftojë në anën e tyre, duke i njohur ata si çlirimtarë të Shqipërisë.

Nëse dikush flet për dhunimin e neutralitetit të Shqipërisë, kjo kurrë nuk ka ekzistuar përveçse në letër, në protokollin e Konferencës së Londrës. Greqia, me mos largimin e saj nga Epiri i Veriut, që nga koha e mbërritjes së Sovranit veçse ka i dhunuar të gjitha traktatet dhe aktet diplomatike të Fuqive të Mëdha. Ky dhunim madje ka pasur edhe miratimin e kabineteve evropiane, qëkur u nënshkrua Protokolli i Korfuzit.

Është gabim të përdorësh shprehjen e mëparshme “Princ Vidi”, emrin e tij të dikurshëm dhe jo Mbret i Shqipërisë, pasi i pari është thjesht titulli me të cilin është njohur, në vend të Kontit të Krujës për shembull apo njërit prej emrave të tjerë me të cilët është titulluar, derisa në Ushtrinë gjermane Mbreti njihet me këtë emër. Në të vërtetë është nom de guerre [emri i tij në luftë]. Për rrjedhojë, janë absurde thashethemet që u përhapën në lidhje me heqjen dorë nga froni nga ana e tij. Në shpalljen “Për shqiptarët” të datës 3 shtator [1914], ai ka thënë:

“Prandaj, për të mos e lënë punën të pambaruar, së cilës dua t’ia përkushtoj fuqinë dhe jetën time, kam vendosur se do të ishte më mirë për mua që të shkoj për ca kohë në Perëndim. Por, të jeni të sigurt se, si nga larg ashtu edhe nga afër, nuk do të kem asnjë mendim tjetër pos të punoj për prosperitetin e atdheut tonë kalorësiak të Shqipërisë”.

Mbreti për momentin është në fushëbetejë, por shpirti i tij vazhdimisht jeton në Shqipëri. Dhe, ajo çfarë banorët e Shijakut, të Kavajës dhe të Tiranës kërkojnë sot, është rikthimi i Sovranit të tyre.

Por, sipas pikëpamjes së njërës prej Fuqive të Mëdha, Shqipëria nuk ekziston nëse flasim për pushtimin italian të portit shqiptar të Vlorës, siç i tha z. Sazanov [Sergey Sazonov] – ministri rus i Punëve të Jashtme – gazetës italiane Corriere della Sera:

Rusia nuk ka kundërshtime për pushtimin e Vlorës. Këtë e shohim si veprim të paracaktuar politik, për të cilin Italia është e gatshme të marrë përsipër pasojat. Për ne, shteti i Shqipërisë nuk ekziston. Shqipëria ka vdekur para se të lindte.

Ndërkaq, banorët e vendit ndaj të cilëve Vilhelm Vidi ende qeveris “në shpirt”, nuk duket se vuajnë nga njëtrajtshmëria e paligjshmërisë. Korrespondenti special i London Times-it, që shkruan nga Durrësi, i paraqet shqiptarët të lëkundur herë në njërën anë e pastaj te tjetra, kjo nga ndikimi i agjentëve xhonturq në Stamboll. Duket se shqiptarët po e shijojnë këtë situatë të paqartësisë politike, për çfarë korrespondenti i The Times-it shkruan:

Gjatë ditëve të tij të pakta, por shumë të ngjeshura të Princit Vilhelm Vid, e vetmja mike besnike ishte Austria, ndërsa agjentët turq në Shqipëri – dhe kishte shumë nga ata – predikonin doktrinën se si Vilhelmi ashtu edhe Austria po e mbrojnë Krishterimin agresiv dhe se është detyrë e çdo myslimani të ndershëm të rezistojë dhe të shkatërrojë planet e Austrisë. Po për këtë, Tirana, Shijaku dhe pjesët e tjera të Shqipërisë, ngritën krye dhe rezistuan. Kryengritja dhe rezistenca është biznes i cili u pëlqen shqiptarëve e të cilin ata e njohin mirë. Por, sado që janë mësuar me të, siç bën edhe irlandezi legjendar “agin the Government” [kundër qeverisë], edhe shqiptari paksa po trulloset nga niveli i revolucionit që pret ta mbrojë.

Tash për tash, xhonturqit – ata ende janë atje – e këndojnë një tjetër këngë. Duket se Austria, Austria katolike, në fund të fundit është – bashkë me Gjermaninë e largët – e vetmja mike dhe mbrojtëse e myslimanëve. Madje edhe Vilhelm Vidi, i cili në njëfarë mase e ka rinovuar lidhjen e tij me Ushtrinë e lavdishme gjermane, me mbrojtësen e besimit [të krishterë], në fund të fundit po del të jetë njeri jo dhe aq i keq. Sepse, armiku i vërtetë i Islamit është Serbia e vogël!

Ky korrespondent e përfundon artikullin e vet duke skicuar panoramën e errët të Oborrit Shqiptar në ekzil, në Romë, teksa interesat shqiptare Mbreti po i thellon më tej tek Ushtria gjermane.

Mbetjet e eksperimentit të parë, të çarjes së Oborrit dhe të Kabinetit të Princit të pafat Vilhelm,  ende po shtrihen në Itali. Familja e tij është – apo ishte së fundmi – në liqenin Garda. Turhan Pasha, kryeministri i tij, për çdo mbrëmje mund të shihet duke ecur ngadalë – si një figurë e mjerë – nëpër Rrugën Kombëtare. Filip Nogën, ministrin e tij të Financave, së fundmi e pashë në Venecie, prej nga po kthehej për një mision të pashpresë në Shqipëri. Fisnikët dhe bejlerët më të vegjël të familjeve bujare, pinë çaj në Hotelin “Grand”. Dëbora e vitit të kaluar ende nuk është shkrirë, sikurse edhe sovraniteti i Vidit. Le të shpresojmë që Shqipëria dhe banorët e saj trima, mund t’ia dalin më mirë se sundimtari i parë i tyre dështak.

Sipas gazetave angleze dhe italiane, fati i Shqipërisë varet nga Esat Pasha. Nëse ai, siç na thonë ato, do të ketë ndikim të mjaftueshëm te bashkatdhetarët e tij për të reaguar ndaj sulmit të xhonturqve kundër tij, atëherë ai do të jetë i aftë ta bëjë veten sundimtar të të gjithë shqiptarëve – për aq sa është e mundur për secilin njeri që të dominojë një racë kaq turbulente, siç jemi të sigurt se janë shqiptarët. Deri tash, siç po duket, ai nuk ishte i aftë të arrijë këtë qëllim të tij, derisa djalin e ish-sulltanit Abdyl Hamitit xhonturqit e kanë shpallur si sundimtar të këtij vendi shumë të trazuar. Sipas London Nation-it, gjithçka është në kaos:

Vendi i pafat sot është gjendjen më të rëndë se kurrë. Momentalisht, duket se Esat Pasha e ka stabilizuar goxha mirë veten. Është pozicionuar për një politikë anti-austriake, është cilësuar si beniamin i Italisë, dhe madje ka arritur edhe një marrëveshje me serbët. Por, xhonturqit, të cilët fillimisht e kishin mbështetur si kreun e një partie muhamedane, që nga fillimi i luftës [së Parë Botërore] i kanë ndryshuar taktikat. Ata tashmë janë pro-austriakë dhe për këtë arsye anti-Esat. Duket se e kanë nxitur një rebelim të brendshëm kundër tij dhe i gjithë vendi tashmë është në kaos. /Telegrafi/