Shpërthen zjarr në kufirin në mes Maqedonisë dhe Greqisë në Dojran


Një zjarr shpërtheu sot në mëngjes në lokacionin Vlladaja në Komunën e Dojranit dhe është ende aktiv, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas informacioneve nga dega e QMK-së në Gjevgjeli, zjarri është raportuar rreth orës 10:00, dhe në vendngjarje ndodhen dy automjete zjarrfikëse nga kompania vullnetare e zjarrfikësve "Dojran" me pesë zjarrfikës dhe një automjet special nga Departamenti i Zjarrfikësve të Gjevgjelisë me tre zjarrfikës.
Vendndodhja është siguruar edhe nga një automjet policor.
Departamenti Qendror i Zjarrfikësve - Gjevgjeli informon se po digjet një mal me dru bredhi, dhe për shkak të erës zjarri po përhapet në disa drejtime. Deri më tani nuk ka kaluar në territorin e Greqisë fqinje, por është në afërsi të kufirit.
Mediat greke nga Kukushi fqinj kanë raportuar tashmë për zjarrin, i cili është i dukshëm nga kufiri i tyre./Telegrafi/








































