Draft rregullorja të cilën po tenton ta funksionalizoj komuna e Ferizajt, është në kundërshtim me ligjin e punës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit për media, kjo rregullore po kundërshtohet nga Organizata “Ora” , “Lëvizja Demokratike”, Organizata për edukim të drejtë dhe cilësore “EDC”, Organizata për inovacion dhe sipërmarrje “Future Human” dhe “Aktivizimi Demokratik”.

Të gjitha këto OJQ nëpërmjet një komunikate të përbashkët të martën, kanë sugjeruar komunën të hartoj politika për zbatimin e ligjit të punës, por jo të vendos barriera për bizneset.

“Komuna e Ferizajt në pamundësi të zbatimit të ligjit të punës për kompanitë private, po harton draft rregullore në kundërshtim me ligjin e punës dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Draft Rregullorja e cila po tenton ta vendos komuna për disa biznese që e ndalon punën të dielave, kjo bie drejtpërdrejt në kundërshtim me ligjin, derisa definohet qartë se puna gjatë një jave duhet me qenë 40 orë të rregullta”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre puna pas orarit paguhet 30 për qind më shtrenjtë ndërsa puna gjatë festave dhe vikendit 50 për qind me shtrenjtë, andaj sipas tyre, ky ligj nuk i ndalon bizneset për të mos punuar të dielave.

“Komuna e Ferizajt duhet të ushtroj kontroll ndaj Kompanive të cilat nuk e respektojnë aspak ligjin e punës dhe punëtorët nuk i trajtojnë mirë. Ne kërkojmë që mos të vendosen barriera ndaj bizneseve për t’i penguar që mos të zhvillohen ku një numër i madh i bizneseve veprimtarinë e tyre e ushtrojnë vetëm të dielave”, thuhet më tej në komunikatë, duke kërkuar nga komuna ta rrisë numrin e inspektorëve me qëllim që të zbatohet ligji i punës për punëtorët dhe orari i tyre të përgatitet ndërmjet bizneseve dhe punëtorëve.

“Inspektorët e komunës duhet të vendosin kontroll për zbatimin e këtij ligji dhe ta tërheq këtë draft rregullore e cila është e jashtëligjshme. Ndryshe ne si rrjet i organizatave, këtë lëndë do ta dërgojmë në kushtetuese”, thuhet më tej në komunikatë ./Telegrafi/