eksperti-banner

Determinimi tek qenia njerëzore, më shumë se tek çdo specie tjetër, varet prej trurit të saj. Ndërkohë që sistemi nervor shfaqet si i përfshirë në evolucion, atëherë shpirti njerëzor na paraqitet si një sinaps i progresit social. Por kur sinapset s’ndodhin, shpirti humbë komunikimin, dhe shoqëria paralizohet. Kaq vjet tranzicion, pas 10 vjetësh në Kosovë, mendja e njeriut është kthyer në makth të gjithkujt, ëndërr e keqe, subjekt diskutimi në sa e sa media, një infinit i mërzitshëm tashmë, por shpresojmë që do të ketë zgjidhje dhe pse do të ketë pasoja sociale. Në një mënyrë pasojat janë në vetën tonë, por i mbajmë të mbyllur, nuk reagojmë. Në krahun tjetër, kemi paralizën e shpirtrave, që është një problem i një natyre tjetër. Nëse shpirtrat nuk reagojnë, por qëndrojnë në gjendjen e tyre amorfe, atëherë trupi, emocioni, e pandergjegjshmja, mësyjnë mbi realen duke shkaktuar anomi, por i detyrojnë shpirtrat të reflektojnë dhe të rihapen. E pandërgjegjshmja nuk na justifikon për gjithçka dhe këtu i kërkojmë ndjesë Frojdit.

Pyetja që shtron çdokush nga ne është: Në këtë kohë të vështirë, krizë, përse idetë që propozojmë nuk merren parasysh nga politikanët? Kjo situatë e kërkon një zgjidhje. Kam arritur në përfundimin që arsyeja e politikanëve nuk funksionon më. Në fakt kjo u intereson atyre që merren me pazare dhe allishverishe. Për sa kohë që ky popull i mirë, injoron ç’po ndodh, çka mundemi të presim përveç se një kaos social. Po afrojnë zgjedhjet dhe nuk e di pse gjithçka më bëhet dikromatike: bardhë e zi, majtas ose djathtas, liberal apo konservator, kapitalist apo komunist, darvinist ose krijimist. Për fat të keq paraliza që ekziston në media dhe në shoqëri, ka përfshirë dhe botën akademike. Nuk ka debat, nuk ka pyetje që ngrihen, nuk ka fjalor ndoshta, fjalët mungojnë për të trajtuar çështjet. Shoqëria jonë sot sigurisht s’ka të bëj fare me atë të Rilindësve tanë, as me atë të qeverisë së Fan Nolit, apo qoftë dhe atë të pasluftës. Kemi një shoqëri të mbyllur në shpirt, një shoqëri të emocionit, të konsumit, të frikës. Secili ka ndërtuar folenë e tij, trajektoren e tij personale, s’guxon njeri të mendoj ndryshe, s’guxon njeri të thyej këtë pasivitet. Skleroza sociale ka mbërthyer vendin. Shumë nxjerrin përfitime. Këta e dinë që injoranca luan rol në tregti. S’i kushtojmë vëmendje.

Por sigurisht ka shpirtra njerëzish që janë të predispozuar për të menduar një tjetër trajektore për këtë shoqëri, ka nga ata që e kanë kuptuar ç’është progresi. Se një shoqëri, nuk është kurrë e paralizuar në vlera absolute. Gjithçka është metafizikë.
Shtrohet pyetja se çka ndodhi me shqiptarët e Kosovës para 1998? Përgjigjet gjenden në librat e historisë. Këto pyetje larg së qenit sokratike, nuk japin asnjë zgjidhje përfundimtare, e as nuk zhbllokojnë situatën në vend. Nga një anë, situata aktuale ngjason në shumë aspekte me regjimin osman, sllav e te tjerë per disa shekuj para Pavarësisë. Ka do që sillesh dëgjojmë, Privilegje, përfitime, korporata, fraksione, lartmadhni, grupime interesi, skandale financiare, pushime në (Dubai, Pallma de Mallorca, Antalya )vende panjohura, gjitha këto i dëgjojmë por nuk reagojmë. Shoqëria jonë është totalisht e shpërbërë, grupe sociale të paidentifikuar por ku secili mbron interesat e tyre vetjake, private para interesit të përgjithshëm publik. Kaq të paaftë jemi në Kosovë të krijojmë një frymë komuniteti? Ka paralizë. Sepse nuk ka horizont, sepse allishverishet mund ti vihen dhe njeriut për ta kafshëruar, alienuar dhe shfrytëzuar.
Allishverishet disa i mbathin dhe vetë kur vendosin që aksionet që ndërmarrin të shkojnë drejt interesave vetjake. Një shoqëri konsumatorë e përbërë nga anëtarë të mbathur me dallaveraxhinjtë. Shenjat e paralizës i dimë të gjithë. Duhet të ketë më shumë se ç’ka emra në numërator. Në media përleshen gladiatorë të partive politike anëtarët e të cilave mbajnë primatin. Në politikë dredhitë-njerëzit janë bërë gati bizhuteri të çmuara për të “çarë” në jetë. Në fakt kjo shoqëri e paralizuar ka arsyet e saj për të qenë e tillë. Çdo aktor social ka një pozicion të atillë që garanton këtë rend që kemi. Amputacioni social thellohet çdo ditë, gjymtyrë të shoqërisë së bien, dorëheqjen për shkak të presionit, frikës, të tjerë largohen përgjithmonë nga Kosova, sepse në këtë vend shumë kanë zgjedhur allishverishet, ndaj homeostaza socialpolitike në vend vazhdon, përparon, zhvillohet. Dorëzim masiv dhe pa kushte. Dhe kush ka dallaveret, kjo që ndodh i duket normale, e bukur, sepse aq vizion i lejojnë këta njerëz.

Ku ndodhet kjo begati e njeriut në shoqërinë kosovare? Neutralizimi i shpirtit është një e keqe ngjitëse që transmetohet prej kontaktit mediatik, mbi të gjitha prej televizionit, duke filluar nga mungesa e debateve, mungesa e ideve për veprim, çdo gjë mangët. Diagnoza e shoqërisë sonë: Paralizë shpirtërore, proces njerëzor i kalitur nga instinktet që ndërton dispozita mbrojtëse ndaj Tjetrit (i panjohur), Tjetri i perceptuar si potencial i rrezikshëm për interesat vetjake. Motoja: Secili për vete, Zoti për të gjithë. Të prekurve nga kjo sëmundje do ti rekomandojmë një shëtitje në natyrë për të marrë ajër të pastër. Për këtë ka nevojë dhe shpirti, për ajër, ai ka nevojë të dal në sipërfaqeje pas kësaj apneje mediatike dhe ngufatjes politike të gjatë dhe të detyrueshme. Do ti rekomandojmë disa seanca riedukimi në një bibliotekë.

Dallaveraxhinjtë mbjellin aposiopezë dhe këtë e kuptoni lehtë nëse keni diskutuar me ndonjë politikan, do të konstatoni, që ai në fillim (apo në fund) të çdo fraze ja nis (apo mbaron) me një ëëë të zgjatur. Dhe duket sikur ju dëgjon, por në fakt jo. Është normale. Ai ka imunitet psikik për të lundruar dhe të ndjekur idetë e tij. Në disa epoka, vullnetet bashkohen për të dalë nga skleroza. Ndërgjegjësim.
Se veç një sy mbi shoqërinë nuk tregon një dëshirë të madhe për ta ndryshuar atë. Shamanët e kësaj shoqërie janë paralizuar, paraliza është e rëndë, është faciale. Po ky popull i zbutur si duhet, për fat të keq, gëzon rritjen ekonomike me dy shifra dhe vendi i punës, një rrogë, shtëpi, nuse, është pranuar si i vetmi horizont. Jo, ndoshta është më mirë të qëndrojmë në dikotominë tonë, kapitalist- anti kapitalist, e majtë -antikomunist, e djathtë - antifashist, bardhë - jo e bardhe, etj.

Udhëheqësit tanë të mbushur nga një thes dokrrash, mërzish, sherresh, reflektimesh manikeiste, ku shënohen fajtorë, “priten koka”, zgjidhen trashëgimtarë, secili në kampin e tij, në fraksionin, në budallallëkun apo korporatën. Manitë më të shëmtuara janë ringjallur tek ne si në kohën e Turqisë: Privilegje, vende pune të rezervuara për djalin e…për vajzën e…mikun e….miken e…një shoqeri e paralizuar. Shoqëria jonë duket se këtu ka marr fund. Pashallarët shfrytëzojnë një lëm njerëzor të formatuar. Ky paraqet një fund në Histori. Midis lirisë dhe njerëzve që merren me dredhime ne duket se kemi bërë zgjedhjen tonë. Është më e ndërlikuar se kaq, por le ti flakim tutje njerëzit e këtyre fenomeneve dhe të shohim përreth nesh çfarë ndodh, të shohim njëri tjetrin në sy, të njohim tjetrin si të ngjashmin tonë. Këtu do të dalim nga verbëria jonë dhe do të lind shikimi dhe shijimi i vërtetë i estetikës që ka krijuar natyra.

(Autori është në studime Master në Sociologji)