LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Qumështarëve mirëpret vendimin për masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Shoqata e Qumështarëve mirëpret vendimin për masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Lajmi i djeshëm që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur masë mbrojtëse prej 10 për qind importin e produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina, është lajm i gëzueshëm për të gjithë qumështarët e vendit, kështu thuhet në reagimin e shoqatës.

Shoqata bënë thirrje për rregullimin e tregut.


“Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe jemi të gëzuar që zëri jonë më në fund është dëgjuar. Falënderojmë këtë ministri dhe ministrin Shala për angazhimin që ka treguar kohëve të fundit në këtë drejtim dhe presim edhe vendime tjera me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore. Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe institucioneve tjera përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të kryejnë obligimin e vet ligjor dhe të na krijojnë hapësirë për punë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Qumështarëve, përcjell Telegrafi.

Shoqata thotë se ky vendim duhet të mbetet në fuqi deri në përmbushjen e plotë të reciprocitetit tregtar me këto dy vende.

“Megjithatë, duke pasur parasysh frikën nga përvoja e mëhershme, kur një vendim i MTI-së për masë mbrojtëse të prodhimeve të qumështit ndaj importit nga Bosnjë dhe Hercegovina nuk zgjati më shumë se një javë, ne shpresojmë fuqishëm që ministri Shala do t’u qëndrojë presioneve dhe ky vendim të mbetet në fuqi deri në përmbushjen e plotë të reciprocitetit tregtar me këto dy vende”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/