LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Bankave të Kosovës fillon kampanjën informuese për rritjen e pagesave me kartela bankare

Shoqata e Bankave të Kosovës fillon kampanjën informuese për rritjen e pagesave me kartela bankare

Sektori bankar në Kosovë ka arritur që të ndërtoj një infrastrukturë mjaft të gjerë të pagesave e cila shtrihet në tërë vendin. Në këtë infrastrukturë bëjnë pjesë edhe pikat e shitjeve POS ku blerësit mund të bëjnë pagesat e tyre me kartela bankare.

Duke pasur parasysh që përdorimi i kartelave bankare konsiderohet si një prej mundësive më të shpejta dhe më të sigurta për të kryer pagesat, edhe sektori bankar në Kosovë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë.


Në këtë drejtim Shoqata e Bankave të Kosovës, me mbështetje nga bankat komerciale të Kosovës dhe Visa, ka lansuar një fushatë informuese për të sqaruar se cilat janë përfitimet e qytetarëve nëse kryejnë pagesat e tyre me kartelë bankare.

“Kjo fushatë ka për qëllim të rrisë besimin në përdorimin e kartelave bankare dhe të ndikoj pozitivisht te rritja e pagesave me kartela bankare në Kosovë dhe reduktimin e parasë së gatshme në ekonomi. Reduktimi i përdorimit të parasë së gatshme dhe rritja e pagesave elektronike do të kontribuonte edhe në luftimin e ekonomisë informale e cila shpesh përcjellët me transaksione me KESH por edhe do të rriste konkurrencën në fushën e pagesave e që sjell përfitime të shumta për konsumatorët po ashtu edhe për bizneset si dhe ekonominë në tërësi”, thuhet në njoftimin e SHBK-së, përcjell Telegrafi.

Sipas Shoqatës, kartela bankare ju ofron siguri dhe lehtësi në pagesat duke mundësuar edhe transaksionet pa kontakt për shuma të vogla dhe të përditshme. Në këtë kohë pandemie, kjo mundësi për të paguar pa kontakt ndikon edhe në parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19.

Fushata do të zhvillohet gjatë muajve shtator-nëntor 2020. /Telegrafi/