LAJMI I FUNDIT:

Shkupi nuk shpreson në heqjen e vetos bullgare

Shkupi nuk shpreson në heqjen e vetos bullgare

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u mbajtën të dielën më 11 korrik në Bullgari, kanë nxjerrë një rezultat të përafërt mes partisë GERB, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borissov, dhe partisë së quajtur “Ka një popull të tillë”, të drejtuesit televiziv, Slavi Trifonov.

Ky i fundit ende pa u certifikuar rezultatet ka paraqitur një kabinet qeveritar të ekspertëve, ndërsa në paraqitjen e parë, në prioritetet e punës së tij ka përmendur edhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në “dërgimin në gjithësi edhe të një maqedonoveriori së bashku me dy astronautë bullgarë”.


“Do të paraqes kërkesën për anëtarësimin e Bullgarisë në Agjencinë Evropiane të Hapësirës sepse vetëm Bullgaria nuk është anëtare e saj. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të dërguar një burrë dhe një grua, që do të jenë astronautët e parë bullgarë në NASA (Administrata kombëtare e SHBA-së për Aeronautikë dhe Hapësirës). Unë do të bëj gjithçka që është e mundur që edhe një astronaut maqedonoverior t’i bashkohet atyre. Të mos e ulim kokën poshtë nga turpi, por të fillojmë të shikojmë yjet”, ka thënë Trifonov.

Kjo deklaratë është parë si provokim i rëndë në Shkup, por edhe si mesazh se vështirë që të bisedohet me të për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Unë nuk do të rrisja shpresat lidhur me zbutjen e qëndrimit bullgar në raport me vendin tonë, pasi është e qartë se rezultati i zgjedhjeve është shumë i paqartë apo shumë i ngushtë. Partia e Trifonovit nuk ka ndonjë përvojë në drejtimin e shtetit, pozicionet e tija dihen…deklaratat e para që bëri tani nuk japin shumë shpresë se mund të bisedohet me të në mënyrë racionale për çështjet me Maqedoninë. Mbetet të shihet se çfarë pozicione do të kenë ata që mund të jenë pjesë e qeverisë, pasi siç dihet Trifonov personalisht nuk do të ketë pozicionet në kabinetin e ri, por se ai do të formohet nga ekspertë që do të propozohen nga partia e tij”, ka deklaruar Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politikë Evropiane në Shkup.

Marjan Gjorçev, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje të Bullgarisë, thotë se paragjykimet dhe doktrina bullgare e mohimit të gjithçkaje që ka të bëjë me maqedonasit, vështirë se do të hiqen me politikanët aktualë të skenës bullgare.

“Çfarëdo qeverie që mund të formohet vështirë se do të mund të eliminojë paragjykimet e doktrinës dhe konceptit bullgar se vetëm Bullgaria është ajo që duhet të zgjidhë të ashtuquajturën çështje maqedonase, apo se vetëm ajo duhet të vendosë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Thjesht, nuk ekziston një mundësi e tillë nëse Bullgaria nuk heq dorë të nga vendosja joparimore e vetos për nisjen e bisedimeve (me BE-në). Zgjidhjen nga dalja e këtij kontesti joekzistues apo të sajuar nga pala bullgare, e shoh në atë që Maqedonia t’ia bëjë me dije Bashkimit Evropian, si shtet kandidat dhe NATO-s si anëtare e saj, se pengesat e Bullgarisë pengojnë edhe zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, sikur që pengojnë edhe në forcimin e kapaciteteve të aleancës në këtë pjesë të rajonit”, thotë Gjorçev.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, “duhet të bëjnë përpjekje shtesë për t’ia bërë të qartë Sofjes se pengimi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, pengon edhe politikën e zgjerimit të evropian dhe se mosmarrëveshja dypalëshe midis Shkupit dhe Sofjes duhet të zgjidhet mbi parime krejtësisht të ndryshme, ashtu siç u zgjidhën mosmarrëveshjet midis Kroacisë dhe Sllovenisë, ashtu si bisedojnë Serbia dhe Kosova, apo siç janë zgjidhur problemet tjera mes vendeve anëtare të BE-së”.

Simonida Kacarska, nga Instituti për politikë evropiane nuk beson se këtë vit mund të ketë zgjidhje të kontestit edhe për faktin se në vjeshtë Bullgaria do të ketë edhe zgjedhje presidenciale dhe se për një marrëveshje të mundshme, sipas saj, nevojiten personalitete progresive.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me personalitete progresive në Bullgari, të cilët nuk i shohim në këtë fazë. Në qeverinë e re, nëse formohet, nuk do të kemi personalitetet më ekstreme, siç është Krasimir Karakaçanov, partia e të cilit nuk e kaloi pragun për të hyrë në kuvend. Por, pavarësisht kësaj, zhvillimet në Bullgari nuk japin shpresë për bisedime, por as nga partnerët evropianë nuk mund të presim ndonjë zhvillim apo angazhim për dialog, duke marrë parasysh zhvillimet në Sofje. Nuk ka shpresa për ndonjë zgjidhje edhe për faktin se në vjeshtë atje do të ketë edhe zgjedhje presidenciale. Kështu që as nga presidenti Rumen Radev nuk pritet ndonjë lëvizje pozitive, për faktin se ai do të jetë edhe kandidati për një mandat të ri”, thotë Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për politikë evropiane.

Bullgaria heqjen e vetos e kushtëzon me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën maqedonase, identitetin dhe aspekte të tjera historike, me pretendimet se ato kanë prejardhje bullgare. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga institucionet maqedonase, ndërsa partia kryesore opozitare maqedonase, OBRM-PDUKM kërkon që “vijat e kuqe” apo refuzimi i çdo kompromisi për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, të zyrtarizohet përmes një rezolute që ka paraqitur për votim në kuvend./REL/