LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtarja e madhe që “vodhi” nga përrallat afrikane

Shkrimtarja e madhe që “vodhi” nga përrallat afrikane
Ilustrimi origjinal nga “Tregimi për lepurin Piter” (foto: AP)

Nga: Lucy Knight / The Guardian (titulli origjinal: Beatrix Potter’s Peter Rabbit story originated in African folktales, expert argues)
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse mendoni për Beatrix Potterin, ndoshta do të kujtoni Tregimet e saj për Lepurin Piter, për Rosën Xhemajma dhe për Zonjën Tigi-Unkli. Këto tregime të njohura, të vendosura në kopshtet e fshatrave angleze dhe me ilustrime të duhura, gjatë shekullit të kaluar qenë të renditura nëpër raftet britanike të librave për fëmijë. Megjithatë, historitë mund të mos jenë aq britanike, siç supozojnë shumica prej nesh.


Dr. Emily Zobel Marshall, në një ese për portalin The Conversation, ka kërkuar që të kemi njohuri më të gjera për borxhin që Potter ka ndaj historive të Lepurit Brer, që janë treguar nga afrikanët e skllavëruar që punonin nëpër plantacione amerikane.

Tregimet e Lepurit Brer, për një lepur dinak që jeton në një copë toke dhe i mashtron kafshët më të mëdha, mund të gjurmohen në Afrikën parakoloniale, shpjegoi Zobel Marshall që ligjëron literaturën postkoloniale në Universitetin Lids-Beket. Përrallat më pas u shpërndanë mes njerëzve të skllavëruar në plantacionet amerikane, përpara se të përshtateshin për audiencën e bardhë në fund të shekullit XIX – nga gazetari dhe folkloristi amerikan, Joel Chandler Harris.

Tregimet e Xha Remusit, siç u bënë të njohura falë emrit të tregimtarit imagjinar afrikano-amerikan të Harrisit, ishin të njohura për Potterin. Biografia e Potterit, e shkruar nga Linda Lear më 2008, Jeta në natyrë, vëren se teksa “audienca e saj e parë ishte britanike”, puna e saj u ndikua fuqishëm nga Harrisi – “Tregimet e të cilit për Lepurin Brer ajo i kishte dashur si fëmijë”.

Kopjet e koleksioneve të përrallave të Harrisit, për Lepurin Brer, u gjetën në shtëpinë e Potterit në Distriktin Lejk – pasi ajo vdiq në vitin 1943.

“Këto histori nuk janë botuar në Mbretërinë e Bashkuar, atëherë kur Beatrix Potter ishte fëmijë. Prandaj, ka të ngjarë që kontakti i saj i hershëm me përrallat e Lepurit Brer (për dallim nga pjesa tjetër e publikut britanik) të jetë rezultat i rrënjëve të saj familjare në industrinë e pambukut”, shkruan Zobel Marshall.

Gjyshi i Potterit, Edmund Potter, ishte pronar i fabrikave të pambukut në Mançester, pasuria e të cilit u trashëgua nga babai i Beatrixit, Rupert – që ishte avokat dhe fotograf. Rupert u martua me një trashëgimtare të pasur, Helen Leech, familja e së cilës ishte gjithashtu pronare e fabrikave të pambukut. Nga fillimi i shekullit XIX, pambuku i papërpunuar i përdorur në këta mullinj, merrej nga Amerika dhe suksesi ekonomik i Mançesterit ishte thellësisht i lidhur me skllavërimin e popullit afrikan.

“U habita kur kuptova se sa pak komente ka pasur, gjatë viteve, për ngjashmëritë e shumta midis përrallave të Potterit dhe përrallave popullore të Lepurit Brer me origjinë nga Afrika”, thotë Zobel Marshall.

Në fakt, siç përmendet në biografinë e Learit, këtë vetë Potteri e pranoi – se Tregimi i saj për Zotëriun Tod, vazhdimi i Tregimit për Lepurin Piter, kishte “imitim të Xha Remusit” – në një letër drejtuar botuesit.

“Duke e analizuar ngjarjen, gjuhën dhe personazhet në përrallat e saj, është e qartë se Potteri ishte më shumë sesa thjesht e frymëzuar nga këto tregimet”, thotë Zobel Marshall.

Janë të shumta ngjashmëritë mes dy grupeve të tregimeve, thekson Zobel Marshall. Për shembull, në Kopshtin e një Zonje (1883), Lepuri Brer mashtron zonjushën Xhejni që ta lejojë të hyjë në kopshtin e perimeve të babait të saj për të vjedhur bizele angleze, asparag dhe kikirikë (kikirikë), duke u shtirur se është mik i babait të saj, Zotëriu Man, nga shtëpia e madhe e bardhë”, thotë studiuesja. “Ky zhvillim është tregimi kryesor në shumicën e përrallave të Potterit, ndërsa lidhet drejtpërdrejt me nevojën e njerëzve të skllavëruar që të vjedhin ushqim nga zotërinjtë e vet – për të mbijetuar”.

Përpara esesë dhe librit të Zobel Marshallit, Mashtrimi amerikan: Trauma, tradita dhe Lepuri Brer, ishin vetëm dy shkrime të detajuara për kërkimet që lidhnin përrallat e Potterit me përrallat e mëparshme popullore të Harrisit. Njëri ishte në librin e autorit për fëmijë, John Goldthwaite (më 1996), Historia e natyrshme e shtirjes, dhe tjetri ishte leksioni (i pabotuar) i kritikut letrar Peter Hollindale, Xha Remusi dhe Lepuri Piter, në takimin e përgjithshëm vjetore të Shoqatës “Beatrix Potter” më 2003.

Vetë Potteri “kurrë publikisht nuk e pranoi burimin e ndonjë frymëzimi për ilustrimet, narracionet apo protagonistët”, thotë Zobel Marshall. Hollindale në ligjëratën e tij pohoi se kjo ndodhi mbase sepse e “keqkuptoi talentin e vet dhe, deri në fund të jetës së saj, kishte frikë se mos e merrnin si mashtruese”.

Zobel Marshall thekson se nuk është domosdo e gabuar që Potteri të jetë frymëzuar nga Tregimet e Lepurit Brer. “Për nga natyra e tyre, tregimet ndryshojnë vazhdimisht për t’iu përshtatur nevojave të audiencës, dhe ky është veçanërisht rasti me tregimin oral”, shkruan ajo. Në fakt, një tjetër autore e njohur britanike për fëmijë, Enid Blyton, shkroi gjithashtu versione të tregimeve të Lepurit Brer, por ndryshe nga Potteri, Blyton i pranoi burimet.

“Veprimet e Potterit për të mos i njoftuar lexuesit për burimet, paraqesin një përvetësim të dëmshëm dhe të përsëritur të formave kulturore të njerëzve me ngjyrë, që edhe sot po vazhdojnë”, thotë Zobel Marshall. Markat Beatrix Potter dhe Lepuri Piter janë shumë fitimprurëse, megjithatë nuk kam gjetur referenca për burimet e amerikanëve me ngjyrë te këto tregime – në asnjë nga muzetë e Beatrix Potterit dhe gjatë përvojave në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA, të cilat tërheqin qindra-mijëra vizitorë çdo vit. Në mënyrë të ngjashme, këto burime nuk përmenden në asnjërin prej filmave për tregimet e saj, apo në filmin biografik të Hollivudit të vitit 2006, Zonja Potter, shtoi ajo.

Teksa Harrisi “i zhvendosi tregimet përtej mundësive të shumë afrikano-amerikanëve dhe e krijoi një stereotip të dëmshëm të Xha Remusit“, ai të paktën i vlerësoi amerikanët e skllavëruar me ngjyrë, si autorë origjinalë.

Lepuri Brer duhet të ceket me vendosmëri gjatë vlerësimit tonë të tregimeve të Beatrix Potterit”, thotë Zobel Marshall. “Për një kohë shumë të gjatë kanë vjedhur nga vendstrehimi i tij”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

Poezi
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Agron Shala
Kalo në kategori