LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtari i famshëm për fëmijë, Gaqo Bushaka: Humori im, dhuratë e Perëndisë

Shkrimtari i famshëm për fëmijë, Gaqo Bushaka: Humori im, dhuratë e Perëndisë

Shkrimtari Gaqo Bushaka, para disa ditësh u vlerësua për fondin “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Ka lëvruar prozën e gjatë dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhjet me përralla: “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”… Vepra që e bëri tepër të njohur ishte “Aventurat e Çufos”, pjesë përbërëse e së cilës janë përrallat: “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Pushimet e Çufos”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave” etj.

Bushaka rrëfen krijimtarinë e tij letrare në gjysmë shekulli. Ndonëse ndihet i pavlerësuar nga institucionet shtetërore në këto 50 vite krijimtari, ai tregon se nuk di të ndalet së shkruar. Aktualisht është duke shkruar edhe pjesën “Çufoja në Amerikë”.


Një çantë prej lecke, rroba edhe këpucë të grisura. Kështu e kujton fëmijërinë, teksa rrëfen kushtet e vështira ekonomike në të cilat është rritur, fillimisht në Gjirokastër e më pas në një dhomë plot lagështirë në Tiranë.

Përderisa as vet nuk e di se cili është burimi i humorit të tij, që depërton nëpërmjet përrallave tek lexuesit e vegjël, shton se kjo nuk vjen nga fëmijëria e trishtë apo nga dy prindërit e tij.

“Humori im duhet që të jetë dhuratë e perëndisë. Nuk ka të bëjë as me familjen edhe me asgjë, pasi nëna edhe baba nuk dinte që të hidhnin as firmën. Unë kalova një fëmijëri shumë të hidhur, me vështirësi ekonomike, me çantën prej lecke, me këpucë që fusja në qese të mos lageshin këmbët. Kam kaluar një fëmijëri shumë të hidhur. Edhe rininë e kam kaluar të vështirë, se u detyrova që të lë shkollën dhe të mbaroja rezervat e punës për elektricistë, por edhe punoja në uzinën ‘Partizani’ derisa mbarova gjimnazin e natës. Edhe jeta ime si gazetar ka qenë shumë e vështirë”, thotë ai. “Për mua letërsia mbahet nga talentet. Mund të jesh djalë i presidentit, të hash edhe të pish sa të duash, por nuk ke çfarë bën me lekë. Kam qenë unë keq ekonomikisht, dhe ashtu jam akoma, por talenti është talent”. /Shqiptarja/