Shkëndija nuk ndalet, Gostivari dhe Struga rikthehen në garë për Evropën

Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dhuroi emocione të shumta, zhvillime të rëndësishme në kreun e tabelës dhe tension në fundin e saj, njofton Telegrafi.
Me vetëm gjashtë xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, gara për titull, për Evropë dhe për mbijetesë po hyn në fazën më vendimtare.
Shkëndija e Tetovës konfirmoi edhe një herë se është pretendente serioze për titull, duke mposhtur në mënyrë bindëse Voska Sportin me rezultat 4-0. Me këtë fitore, kuqezinjtë ruajtën pozitën e parë dhe distancën prej katër pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Sileksit, që gjithashtu ishte i pamëshirshëm ndaj Besës, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 në Kratovë.
Gara mes këtyre dy skuadrave po zhvillohet në mënyrë dramatike, ku çdo pikë pritet të jetë vendimtare. Shkëndija ka përpara disa ndeshje ku duhet të ruajë ritmin, ndërsa Sileksi po pret çdo hap të gabuar për të marrë kreun.
Në luftën për pozitën e tretë, që siguron pjesëmarrje në garat evropiane, ndodhi një ndryshim i madh. Rabotniçki, që deri tani kishte komoditet në këtë vend, u mposht në shtëpi nga kampionët në fuqi Struga, me rezultat 0-1. Kjo humbje ka rihapur garën, pasi tani Gostivari (dy pikë) dhe Struga (katër pikë), janë afruar ndjeshëm, duke e bërë betejën për Evropë shumë më interesante në javët e mbetura.
Ndërkohë, edhe Gostivari bëri një hap të madh përpara, duke triumfuar me rezultat 3-1 ndaj Shkupit, në një ndeshje ku tregoi forcë karakteri.
Lufta për mbijetesë, është bërë më e ashpër se kurrë. Në fundin e tabelës, tensioni është i lartë. Katër skuadra ndodhen brenda vetëm dy pikëve dhe secila prej tyre po lufton për të shmangur zonën e rrezikshme. AP Brera mori fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Pelisterit, ndërsa Tikveshi ndau pikët me Vardarin, por mbetet i përfshirë në betejë.
Besa, Tikveshi, AP Brera dhe Voska Sport janë skuadrat më të rrezikuara, me çdo ndeshje që mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në elitë.
Të shtunën, më 19 prill, me fillim nga ora 16:00, na presin sfida të tjera kyçe që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në të gjitha zonat e tabelës. Kjo xhiro pritet të japë më shumë përgjigje, por ndoshta edhe të hapë rrugën për befasi të tjera në një kampionat që po shkon drejt një fundi dramatik. /Telegrafi/
Java e 28-të: Besa – Shkëndija, Struga – Gostivari, Shkupi – Sileksi, Voska Sport – Vardari, Rabotniçki – Pelisteri dhe Tikveshi - AP Brera.












































