Pikat e zeza, shkëndijat apo hijet që shfaqen papritur në fushën e shikimit nuk duhet të neglizhohen, sidomos kur paraqiten vetëm në njërin sy.

Sipas kirurgut vitreoretinal Muhamet Zekolli, këto mund të jenë ndër shenjat e para të problemeve serioze të retinës, përfshirë edhe shkëputjen e saj.


Për këtë temë, Zekolli ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit Kubati dhe United Hospital.

Në këtë episod u trajtuan sëmundjet e retinës dhe trupit qelqor, rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe rastet kur pacienti duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore.



Duke folur për shenjat e para dhe më të shpeshta të sëmundjeve të retinës, Zekolli përmendi ato që në literaturë njihen si “floaters”, apo pika të zeza.

“Shenjat e para dhe më të shpeshta, të cilat i hasim te sëmundjet e retinës, janë ato që njihen në literaturë si floaters, ose pika të zeza”, tha ai.

Ai shpjegoi se këto pika të zeza, që shpesh pacientët i përshkruajnë si turbullime apo lëvizje brenda fushës së shikimit, mund të shoqërohen edhe me shkëndija drite.

“Flashers janë shkëndija të cilat mund të paraqiten në periferinë e shikimit tonë”, shpjegoi Zekolli.

Sipas tij, këto dy shenja bëhen veçanërisht shqetësuese nëse shfaqen vetëm në njërin sy dhe shoqërohen me një hije që vjen nga pjesa periferike e shikimit.

“Nëse janë veçanërisht unilaterale, domethënë në njërin sy, dhe nëse shoqërohen edhe me paraqitjen e një hije që vjen nga pjesa periferike, këtu duhet të mos neglizhohen”, theksoi ai.

Në raste të tilla, sipas Zekollit, pacienti duhet të konsultohet urgjentisht me mjekun, sepse shenjat mund të lidhen me një patologji serioze të quajtur abllacion i retinës, apo shkëputje e retinës.

“Duhet të konsultohet një mjek urgjentisht, sepse mund të jetë një patologji që quhet abllacion i retinës”, tha kirurgu vitreoretinal.

Ai paralajmëroi se shkëputja e retinës kërkon trajtim të menjëhershëm. Nëse trajtimi vonohet, mund të dëmtohen qelizat e retinës që janë përgjegjëse për shikimin, të cilat nuk rikthehen më.

“Abllacioni i retinës do një trajtim të menjëhershëm, përndryshe vonesat çojnë në dëmtime të këtyre qelizave”, u shpreh Zekolli.

Sipas tij, dëmtimi i këtyre qelizave mund të çojë në ulje të shikimit apo edhe në humbje të plotë të tij, e cila më pas nuk mund të rikthehet.

“Ato nuk mund të rikthehen prapë, faktikisht çojnë në ulje të shikimit apo humbje komplet të shikimit, të cilin më nuk mund ta kthejmë prapë”, tha ai.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com