LAJMI I FUNDIT:

Shkaktarët më të shpeshtë të vdekjes në gjumë

Shkaktarët më të shpeshtë të vdekjes në gjumë
(Foto: Pexels)

Kur mendojmë për vdekshmërinë tonë, të vdesim në gjumë në pleqëri, shpesh duket si mënyra më pak e frikshme dhe ndoshta pa dhimbje për shumë prej nesh.

Por, vdekja në gjumë mund të ndodhë në çdo moshë, shpesh duke qenë një tronditje e madhe për miqtë dhe familjen, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje.


Pra, pse saktësisht njerëzit vdesin në gjumë? A mund të parandalohen vdekje të tilla?

Hulumtimet sugjerojnë se gjumi i tepërt ose i pakët lidhet me një rrezik më të madh të vdekshmërisë në përgjithësi, por nuk ka dëshmi të qartë se sasia e gjumit kontribuon në vdekjen në gjumë.

Shumica e njerëzve që vdesin në gjumë e bëjnë këtë si rezultat i çështjeve të zakonshme shëndetësore – thonë ekspertët – dhe në disa raste është e mundur ta ulim rrezikun e vdekjes gjatë natës.

“Vdekja në gjumë zakonisht lidhet me zemrën, mushkëritë ose trurin”, ka thënë Dr. Milind Sovani për Newsweek, një konsulent në mjekësinë respiratore (pulmonolog) në Nottingham University Hospitals NHS Trust. Ndonjëherë, njerëzit me diabet mund të vdesin në gjumë nga nivelet e ulëta të glukozës.

Ndonjëherë, gjendjet më të komplikuara janë një faktor – thotë Sovani – duke shtuar se ai kishte një pacient të ri mashkull në fund të të 30-tave që vdiq në gjumë së fundmi nga Sëmundja Pompe, një çrregullim i ruajtjes së glukozës që shkakton dobësi të muskujve dhe vështirësi në frymëmarrje.

Megjithatë, gjendjet më të shpeshta që çojnë në vdekjet e natës mund të menaxhohen për ta ulur rrezikun.

Çfarë do të thotë në të vërtetë kur një person vdes nga shkaqe natyrore: Patologët shpjegojnë gjithçka me shembuj
Lexo po ashtu Çfarë do të thotë në të vërtetë kur një person vdes nga shkaqe natyrore: Patologët shpjegojnë gjithçka me shembuj

Faktorët e rrezikut dhe ruajtja e shëndetit

Pozicioni i shtrirë në shpinë që shumë njerëz e mbajnë gjatë gjumit, mund të ndikojë në vëllimin mushkëror – thotë doktori – duke shtuar se frymëmarrja gjatë natës mund të ndikohet gjithashtu nga gjendje të tilla, si paraliza e diafragmës – muskuli që kontrollon frymëmarrjen.

Kushtet neurologjike, si epilepsia gjithashtu mund të paraqesin rreziqe. Njerëzit me epilepsi refraktare janë më të prirë ndaj një sindrome të njohur si ‘Vdekja e përnjëhershme e papritur në epilepsi’ (SUDEP), e cila besohet se shkaktohet nga konvulsionet që ndikojnë në funksionet respiratore, kardiake dhe elektrocerebrale. Hulumtimi i publikuar në vitin 2018 në Frontiers in Neurology zbuloi se SUDEP kishte më shumë gjasa të ndodhte gjatë natës ose orëve të para të mëngjesit.

Në mënyrë të ngjashme, presioni i lartë i gjakut që nuk kontrollohet mund ta rritë rrezikun e goditjeve në tru, të cilat mund të jenë fatale dhe të ndodhin gjatë gjumit.

Gjendje të tjera që kanë më shumë gjasa të përkeqësohen gjatë natës përfshijnë pamjaftueshmërinë e zemrës dhe apnenë e gjumit, e cila bën që frymëmarrja të fillojë dhe të ndalet gjatë fjetjes.

Njerëzit me apne obstruktive të gjumit, kanë më shumë se 2.5 herë gjasa të përjetojnë vdekje të papritur kardiake midis mesnatës dhe orës 6:00 të mëngjesit, sipas një studimi nga Cleveland Clinic në vitin 2017. Studimi zbuloi gjithashtu se njerëzit mbi 60 vjeç ishin në rrezik më të lartë të vdekjes së papritur kardiake.

Megjithëse format e buta të apnesë nuk kanë nevojë gjithmonë të trajtohen, rastet më të rënda mund të trajtohen me një pajisje të njohur si një makinë CPAP, e cila pompon ajrin në një maskë, të cilën e mabn personi që fle mbi gojë ose hundë gjatë natës.

Alarm shëndetësor për miliona njerëz me presion të lartë të gjakut mbi rrezikun e shtuar të komplikimeve
Lexo po ashtu Alarm shëndetësor për miliona njerëz me presion të lartë të gjakut mbi rrezikun e shtuar të komplikimeve

Çrregullime të tjera të zemrës, si aritmitë, ose ritmet jonormale të zemrës, mund të jenë gjithashtu të rrezikshme nëse nuk menaxhohen. Njerëzit me këto gjendje shëndetësore shpesh pajisen me stimulues kardiakë ose defibrilatorë të implantueshëm (i pari përdor pulset për të nxitur zemrën të rrahë me një ritëm normal, ndërsa i dyti monitoron ritmet e zemrës dhe jep një goditje nëse zbulon ritme të rrezikshme).

Gjendjet kronike shëndetësore, si hipertensioni, diabeti dhe obeziteti mund të kontribuojnë në shëndetin e përgjithshëm të dobët dhe të rritin gjasat e komplikimeve. Menaxhimi i tyre dhe mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm mund të ndihmojë në uljen e rreziqeve. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori