LAJMI I FUNDIT:

Shiu i sotëm ishte me lloç, i rrezikshëm për bimët

Shiu i sotëm ishte me lloç, i rrezikshëm për bimët

Mëngjesi i sotëm i ka zënë në befasi qytetarët e Prishtinës, pasi sot u zgjuan me riga të shiut të cilat nuk ishin fort të zakonshme. Për dallim nga herëve tjera, sot ato ishin të shoqëruara me një sasi balte të cilat ranë në formë të shiut.

Sipas parashikuesve të motit këto riga nuk kanë ndonjë efekt tek shëndeti i qytetarëve. Por nëse këto reshje rrisin intensitetin e tyre, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës tha se mund kenë pasoja të mëdha pasi që sipas tij do të krijoheshin “shirat acidike” të cilat janë të dëmshme për bimët.


Aliu për KosovaPress, tha se pluhuri i përzier me shi është alkalin. Disa prej grimcave të mëdha të pikave të shiut përmbajnë përzierje të kimikateve të tilla: si sulfate dhe kripëra deti, kryesisht natrium, klor dhe magnez. Sipas tij tek shëndeti i qytetarëve këto riga nuk paraqesin shqetësim tek qytetarët.

“Absolut nuk ka asnjë shqetësim, domethënë toka nuk nxehet njësoj në gjithë globin, diku ka temperatura të larta diku ka të ulëta dhe si rezultat i këtyre ndryshimeve të temperaturave krijohen erëra, dhe këto erëra të furishme nga toka marrin pluhur, e përcjellin në shtresa të ulëta të troposferës dhe kalojnë në tokë si riga. Këto kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kanë ndodhur edhe në vitet tjera por edhe këtë vit ka ndodhur më duket me 6 shkurt, por edhe në vitet e tjera ka ndodhur para luftës”, tha Aliu.

Më tej ai tha se këto riga të shiut të cilat ranë sot në Prishtinë ishin si shkak i erërave të forta të cilat vinë nga kontinenti Afrikan në drejtim të Evropës ku pluhuri ngritët në shtresën e Troposferës dhe në tokë bien si riga shiu.

Aliu theksoi po ashtu se shkak i këtyre rigave me baltë është edhe Termocentrali në Obiliq, tymi i të cilit akumulohet dhe bie në tokë në formë shiu.

“Këto riga të shiut të cilat janë përcjellë edhe me baltë janë si rezultat i ngritjes së pluhurit domethënë prej rrugëtimit prej drejtimit të Afrikës në drejtim të Evropës dhe ato grimca janë shpërnda në shtresa të ulëta të troposferës pra në këto vranësira të cilat veç i kishin mbuluar teritorikën. Dhe kështu që këto riga bashkë me vete kanë pasur edhe këtë sasi të pluhurit që po e quajmë “lloç” ne. E gjithë kjo është rezultat i erërave që janë të furishme në disa territore dhe bartin pluhurin nga toka në shtresa të ulëta të troposferës dhe këto bashkohen me vranësira dhe kthehen në tokë si reshje, si riga, të cilat kanë bërë ndonjë panik në popull por kjo është e gjitha normale. Krejt faktorët mblidhen, Obiliq e vende të tjera të Evropës, aty ku ka pluhur dhe erëra të mëdha të furishme ato i dorëzojnë këtë sasi të pluhurit në troposferë dhe këto kthehen në sasi të rigave”, tha ai.

Aliu gjithashtu paralajmëroi edhe motin për sot dhe nesër, ku tha se reshje të shiut me intensitet mesatar pritet të fillojnë në mbrëmje si dhe nesër gjatë ditës. /Telegrafi/