Shtëpia e ankandeve Sotheby’s aktualisht ka në ankand një nga 50 ekzemplarët e parë të kompjuterit Apple-1, i montuar me dorë në garazhin e prindërve të Steve Jobs-it, i cili konsiderohet si ekzemplari më i ruajtur në botë.

Apple-1, kompjuteri i parë personal i montuar paraprakisht që doli në treg, ishte produkti i parë i kompanisë Apple Computer, e cila ishte e destinuar të bëhej një nga liderët teknologjikë botërorë.


Kompjuteri i dizajnuar nga Steve Wozniak u montua në garazhin e Jobs-it dhe konsiderohet një pikë kthese në fushën e kompjuterëve personalë, pasi ishte ndër të parët që kishte një terminal video të integruar drejtpërdrejt në pllakën amë (motherboard).

Në një kohë kur shumica e kompjuterëve përdornin drita vezulluese dhe çelësa si ndërfaqe për përdoruesin, Apple-1, duke përdorur televizorin si ekran dhe tastierën, u bë i qasshëm për publikun e gjerë – jo vetëm për entuziastët dhe hobistët.

Sot në botë ekzistojnë vetëm disa ekzemplarë funksionalë të këtij modeli kompjuteri, dhe një prej tyre – më i miri ndër ta – është tani në shitje. Ai është ofruar nga Sotheby’s, e cila vlerëson se çmimi i tij do të arrijë nga 400-600 mijë dollarë.

Ky Apple-1, i njohur si “Romkey”, jo vetëm që vjen nga seria e parë, por është gjithashtu ekzemplari funksional më i mirë i ruajtur i këtij kompjuteri. Pas një përdorimi minimal, pronari origjinal e ndërroi atë në vitin 1981 për një kompjuter të ri personal NCR te Tom Romkey, një teknik i certifikuar i Apple dhe pronar i një dyqani në Florida – një ndër shkëmbimet që sot konsiderohet ndër më të këqijat në historinë e informatikës. Romkey e ruajti këtë kompjuter për gati 40 vjet, duke mbrojtur kështu një pjesë të jashtëzakonshme të historisë teknologjike.

Kompjuteri është sot pothuajse i paprekur, funksionon në mënyrë të përkryer si në ditën e parë, dhe nuk ka shenja përdorimi. Seria e parë e Apple-1, që dallon nga seritë e mëvonshme për faktin se nuk ka monogramin me diamant të shtypshkronjës nën logon e Apple, është sot më e kërkuara mes koleksionistëve.

Shumë nga këto pllaka nga seria e parë gjithashtu kanë numra serialë të shkruar me dorë, dhe dëshmitë tregojnë se këta ekzemplarë janë shitur përmes dyqanit Byte Shop – blerësi i parë me shumicë në ditët e hershme të Applet.

Në kuadër të ankandit Geek Week History of Science & Technology, ky ekzemplar unik dhe pjesë e historisë së kompjuterëve mund të blihet përmes ankandit online, i cili zgjat deri më 17 korrik. Aktualisht, oferta më e lartë është 350 mijë dollarë. /Telegrafi/