LAJMI I FUNDIT:

Shitën kartela me imazhin e Donald Trumpit, Prokuroria e Maqedonisë nis hetimet

Shitën kartela me imazhin e Donald Trumpit, Prokuroria e Maqedonisë nis hetimet

Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut po heton rastin e shitjes online të kartelave me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Një javë pas publikimit të një artikulli hulumtues nga Radio Evropa e Lirë, në të cilin u publikuan detaje për një mekanizëm në internet, përmes të cilit dhjetëra maqedonas – kryesisht nga qyteti i Velesit – përfitonin para nga qytetarët amerikanë, prokuroria njoftoi se i ka nisur hetimet paraprake.


“Është një lëndë me përmasa të mëdha. Është hapur pas një lajmërimi anonim dhe ai lajmërim po monitorohet financiarisht. Në fakt, po i monitorojmë flukset financiare të parave. Është një çështje mjaft komplekse që përfshin një sërë veprimesh”, tha prokuroria.

Ajo përmendi edhe mundësinë e përfshirjes së ndihmës juridike ndërkombëtare, por tha se “ende nuk kemi arritur në atë fazë”.

“Aktualisht, kemi urdhra dhe kur t’i marrim disa rezultate, do të hyjmë në fazën e ndihmës ndërkombëtare. Një pjesë e këtij hetimi paraprak lidhet edhe me lëndën që tashmë është në fazën e gjykimit”, shtoi prokuroria.

Maqedonia e Veriut dhe Velesi sërish në qendër të vëmendjes, këtë radhë mashtrime me “Trump kartela bankare”
Lexo po ashtu Maqedonia e Veriut dhe Velesi sërish në qendër të vëmendjes, këtë radhë mashtrime me “Trump kartela bankare”

Pas disa muajsh hulumtime, gazetarët e Radios Evropa e Lirë zbuluan një mashtrim online, pas të cilit qëndrojnë individë nga qyteti i vogël i Velesit në Maqedoninë e Veriut.

Ata reklamojnë produkte të rreme me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të cilat thonë se do t’u sjellin miliona “patriotëve amerikanë” pasi Trump të rikthehet në pushtet. Por, në fakt, në shitje janë produkte krejtësisht të pavlera, si kartela, monedha, afishe e të tjera.

Radio Evropa e Lirë depërtoi në një grup të mbyllur në Telegram, përmes të cilit komunikonin “shitësit” maqedonas të kartelave të rreme të debitit.

REL-i ndoqi gjurmët digjitale, por dy ditë pasi publikoi artikullin, përmbajtja e shumicës së kanaleve në Telegram u fshi.

Në të njëjtën kohë, një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që shisnin kartela apo monedha me imazhin e Trumpit, i tërhoqën produktet e tyre edhe nga platforma CopeCart, përmes së cilës bëhej shitja.

Velesi, i cili ka një popullsi prej pak më shumë se 45.000 banorësh, u bë i njohur para zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, kur mediat botërore zbuluan se atje u krijuan më shumë se 100 ueb-faqe politike, që shpërndanin lajme të rreme në favor të politikës së Trumpit.

Ueb-faqet përdornin përmbajtje nga blogjet jashtëzakonisht konservatore dhe e reklamonin atë përmes Facebookut, duke gjeneruar miliona shikime në muaj.

Tani, nëpërmjet një skeme të re mashtruese, reklamohej një sistem monetar fiktiv, i quajtur TRB (Trump Rebate Banking system), me pretendimet se njerëzit që zotërojnë produkte TRB, do të marrin kthime të shumëfishta për paratë që investojnë.

Çmimet e kartelave false që shiten, kapin edhe vlerën e disa mijëra dollarëve.

Të dhënat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Maqedoninë e Veriut tregojnë se, në dy vjetët e fundit, 98 individë të Velesit, të moshës deri në 35 vjeç, kanë raportuar të hyra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerë mbi 11 milionë dollarë.

Pjesa më e madhe e këtyre të hyrave është thënë se është realizuar nga marketingu dhe shërbimet e internetit./REL/